Shërbimi Spitalor Klinik Universitar e ka lënë në heshtje kërkesën e dy specialistëve të rinj për t’u punësuar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës.
Dr. Ideal Krekaj, specialist i Kirurgjisë Plastike dhe Dr. Kreshnik Krekaj, specialist i Neurologjisë kanë përfunduar specializtimin në qershor, përkatësisht gusht të këtij viti, shkruan Gazeta Shneta.
Të dy kanë bërë kërkesë për t’u punësuar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës, por kërkesa e tyre është lënë në heshtje.
Ideal Krekaj thotë se spitali i Gjakovës ka nevojë për profilet e tyre, por ende nuk kanë marr një përgjigje për kërkesën e tyre.
“Kemi konkurruar për punësim në Spitalin e Gjakovës. Spitali na ka konsideruar si kuadër i nevojshëm mjekësor dhe ka bërë kërkesë në drejtorinë e përgjithshme të SHSKUK dhe Bordit për pranimin tonë në punë. Ne jemi duke pritur akoma për një përgjigje zyrtare dhe akoma nuk e kemi marr”, ka deklaruar Krekaj.
Ai ka thënë se nëse nuk pranohen në spital, atëherë do të detyrohen të kërkojnë punë jashtë vendit.
“Nëse nuk na pranojnë ne duhet të bëjmë zgjidhje pa dëshiron tonë dhe të kërkojmë punësim jashtë shtetit, edhe pse dëshira jonë është që të japim kontribut në Kosovë”, ka thënë ai.
Gazeta ka pritur disa javë për një përgjigje nga SHSKUK, por nuk kanë dhënë sqarime në pyetjet e dërguara përmes adresës elektronike. /Gazeta Shneta/