Një në çdo 20 raste të gjendjes së rëndë të shtatzënisë, gjegjësisht preeklampsisë, mund të lidhet me rritjen e niveleve të ozonit ndotës të ajrit gjatë tre muajve të parë, sugjeron një studim i madh i botuar në revistën online BMJ Open.
Nënat me astmë mund të jenë më të prekshme, zbulojnë gjetjet.
Preeklampsia karakterizohet nga presioni i lartë i gjakut dhe prania e proteinave në urinë gjatë shtatzënisë. Kjo gjendje mund të shkaktojë komplikime serioze, nëse nuk trajtohet shkruan MedicalxPress përcjell Gazeta Shneta.
Autorët i bazojnë gjetjet e tyre në pothuajse 121,000 lindje në Stokholm të Suedisë, midis periudhës 1998 dhe 2006; të dhëna kombëtare për prevalencën e astmës tek nënat dhe nivelet e ozonit të ndotësve të ajrit dhe shkarkimit të automjeteve (oksidi i azotit) në zonën e Stokholmit.
Ka një numër në rritje të provave që tregojnë për një lidhje midis ndotjes së ajrit dhe lindjes së parakohshme, thonë autorët, ndërsa gratë shtatzëna me astmë kanë më shumë gjasa të kenë komplikime shtatzënie, duke përfshirë foshnjat nën peshë dhe preeklampsi.
Në total, 4.4% e shtatzënive kanë rezultuar me lindje të parakohshme dhe prevalenca e preeklampsisë ishte 2.7%.
Nënat me astmë kishin 25% më shumë gjasa të kishin një fëmijë të lindur para kohe dhe 10% më shumë gjasa të kishin preeklampsi sesa nënat pa këtë gjendje. /Gazeta Shneta/