Një studim i ri sugjeron se nënat e reja duhet të monitorohen për të paktën gjashtë javë pas lindjes, pasi një pjesë e konsiderueshme e komplikimeve mund të kalojnë pa u vënë re.
Hulumtimi, i publikuar në Canadian Medical Association Journal, tregon se rreth 40% e komplikimeve pas lindjes do të mbeteshin të padiagnostikuara nëse nuk do të kishte ndjekje të vazhdueshme të nënave gjatë kësaj periudhe.
Studiuesit analizuan afro 1.1 milion lindje në Ontario të Kanadasë, gjatë viteve 2012–2021. Sipas tyre, shkalla e komplikimeve serioze ishte rreth 27 raste për çdo 1,000 lindje.
Komplikimet më të shpeshta përfshijnë hemorragjinë, preeklampsinë dhe sepsën, ndërsa kjo e fundit rezulton më e zakonshmja pas lindjes, duke përbërë rreth gjysmën e rasteve në këtë fazë.
Të dhënat tregojnë se: 16% e komplikimeve ndodhin gjatë shtatzënisë, 55% gjatë lindjes, 29% në gjashtë javët pas lindjes.
Sipas autores kryesore të studimit, Giulia Muraca, komplikimet serioze nuk ndodhin vetëm gjatë lindjes.
“Komplikimet serioze nuk janë vetëm çështje e sallës së lindjes – ato mund të shfaqen edhe pas lindjes dhe shpesh identifikohen në urgjencë, jo në repartet obstetrike,” theksoi ajo.
Studiuesit vënë në dukje se një pjesë e madhe e vdekjeve të nënave ndodhin jashtë momentit të lindjes – rreth 47% gjatë shtatzënisë dhe 46% pas lindjes.
Për këtë arsye, ata rekomandojnë rritjen e kujdesit pas lindjes, përfshirë monitorimin në shtëpi të parametrave si tensioni i gjakut dhe rrahjet e zemrës, veçanërisht për gratë me rrezik të shtuar./Gazeta Shneta/


