Një studim i ri dhe i gjerë shkencor ka zbuluar se spermatozoidet e meshkujve lëvizin më shpejt gjatë verës krahasuar me dimrin. Hulumtimi analizoi më shumë se 15,000 mostra të spermës dhe ofron të dhëna të rëndësishme për çiftet që po përpiqen të kenë fëmijë, si edhe për klinikat e fertilitetit që interpretojnë rezultatet laboratorike.
Studiues nga Danimarka, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja analizuan mostra të spermës nga donatorë në Danimarkë dhe në Shtetet e Bashkuara.
Ata zbuluan ndryshime të qarta sezonale në cilësinë e spermës, të matur përmes përqendrimit dhe numrit të spermatozoideve me lëvizshmëri progresive – ato që lëvizin përpara në mënyrë efektive dhe kanë më shumë gjasa të fekondojnë një vezë, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se përqendrimi i spermatozoideve që lëvizin më shpejt rritet gradualisht gjatë pranverës, arrin kulmin në fillim të verës dhe më pas bie në nivelet më të ulëta gjatë mesit të dimrit. Kjo do të thotë se një analizë e spermës e bërë në verë mund të duket ndryshe nga një analizë e kryer në dimër.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto dallime nuk do të thonë që meshkujt janë fertilë vetëm gjatë verës ose infertilë në dimër. Prodhimi i përgjithshëm i spermës mbetet i qëndrueshëm gjatë gjithë vitit.
Numri total i spermatozoideve dhe vëllimi i spermës nuk ndryshuan sipas stinëve. Ajo që ndryshon është kryesisht mënyra se si spermatozoidet lëvizin. Shkencëtarët e dinë prej kohësh se zhvillimi i spermës është i ndjeshëm ndaj temperaturës.
Studimi ishte vëzhgues, që do të thotë se identifikon një model sezonal, por nuk mund të shpjegojë plotësisht arsyet pse ndodh ky fenomen. /Gazeta Shneta/


