Inspektorët farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë po dyshojnë në stokun e dy barnatoreve të QKUK-së pasi drejtoresha e Barnatores Qendrore ua vështirësoi qasjen ne dokumente zyrtare, duke kërkuar që kjo të bëhet përmes arkivës së QKUK-së. Kryeinspektori thotë se për këtë është njoftuar drejtori i SHSKUK-së, ndërsa rasti është nën hetime dhe do të merren masa
Inspektori farmaceutik Mr. Ph. Leonis Blakaj, më 31 mars të këtij viti ka dorëzuar një raport tek zyrtarët më të lartë të MSH-së dhe SHSKUK-së për një inspektim që kishte kryer në barnatoren e Klinikës së Gjinekologjisë dhe në Klinikën e Neonatologjisë më datë 11 mars. Në këtë raport, një kopje të të cilit e posedon Gazeta Shneta, inspektori përshkruan vështirësitë dhe pengesat që ka hasur gjatë inspektimit dhe për shkak të tyre ngrit dyshime për gjendjen reale të stokut të barnatoreve.
Blakaj në raportin e tij shkruan se fillimisht ishte inspektuar barnatorja e Klinikës së Neonatologjisë e më pas ajo e Gjinekologjisë. Në të dy barnatoret është kërkuar kopje e dokumentacionit, farmacistet përgjegjëse fillimisht kanë pranuar por më pas janë kontaktuar nga drejtoresha e Barnatores Qendrore dhe kanë marr urdhër gojarisht që të mos i japin asnjë dokument zyrtar inspektorit farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë pa lejen e saj.
Këtë e ka konfirmuar edhe kryeinspektori Dr. Shaban Osmanaj, cili ka thënë se për këtë situatë e ka njoftuar edhe drejtorin e përgjithshëm të SHSKUK-së nga i cili ka kërkuar që rasti të rishqyrtohet. Osmanaj
“Gjatë inspektimit në barnatoren e klinikës e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë, inspektorët e rastit, kanë hasur në jo gatishmëri për bashkëpunim me arsyetimin e personave përgjegjës të barnatoreve në fjalë se nuk mund të ofrojnë dokumenta pa dijeninë e Drejtorit të Shërbimit Farmaceutik të SHSKUK-së. Lidhur me këtë, me datë 23.03.2020 i jemi drejtuar Drejtorit Ekzekutiv të SHSKUK-së, duke e njoftuar për pengesat e paraqitura gjatë inspektimit si dhe mos gatishmërinë e bashkëpunimit të drejtorit të Shërbimit Farmaceutik në SHSKUK-së, si dhe duke kërkuar nga ai që të shqyrtoj rastin në fjalë”, ka deklaruar Osmanaj.
Ai thotë se ekipi i inspektorëve ka kryer një ri-inspektim më datën 13 mars, por sërish nuk kanë pasur qasje në dokumente. Ato iu janë dhënë tek pas tre ditësh më 16 mars përmes arkivës së SHSKUK-së dhe MSH-së. “Pas marrjes së gjitha raporteve, shkresave dhe përgjigjeve nga SHSKUK, jemi në hetim të rastit, si dhe do të ndërmerren procedurat tjera bazuar në kompetencat dhe dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Osmanajt.
Por për shkak të këtyre pengesave dhe vështirësisë në qasje në dokumente, inspektori Blakaj shkruan në raportin e tij se ekziston mundësia e ndërhyrjes apo përmirësimit të të dhënave në kartela pasi të njëjtat nuk kanë numër serik dhe nuk janë të vulosura. Poashtu inspektori shkruan se personeli përgjegjës kanë kryer veprime korrektuese, ndërsa një gjë të tillë e kanë tentuar edhe në praninë e tyre, duke ngritur kështu dyshimet se inspektimi i tillë ka pamundësuar konstatimin e gjendjes reale dhe faktike.
“Prandaj ne si Inspektorat Farmaceutik shprehim dyshimin tonë se ky raport nuk do të mund të paraqet gjendjen reale të këtyre dy barnatoreve të klinikave të Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë”, thuhet në konstatimet e raportit.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga drejtoresha e Barnatores Qendrore Gëzime Pllana si dhe nga drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu. Një përgjigje është kthyer nga emaili zyrtar i SHSKUK-së ku mohohet se inspektori i IF-së është penguar por inspektimi është kryer pas përfundimit të orarit zyrtar. Çështja e orarit është shkruar edhe në raportin e inspektorit i cili thotë se “e ka mbyllur procesin e inspektimit në ora 15:10”.
“Inspektoratit i lejohet qasja në dokumente sipas kërkesave përmes procesverbalit të cilin e përpilon vet inspektorati. Dyshimet janë tërësisht të natyrës së gabimeve teknike, pasi të gjitha hyrje- daljet argumentohen përmes fletëdaljeve dhe fletëkerkesave me nënshkrim nga të gjitha palët (klinikat/repartet). Poashtu, inspektorati edhe në raport ka konstatuar që stoku fizik është në rregull. Pra, krejt raportet i ka pranuar inspektorati sipas kërkesës”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së, përkundër se Inspektorati ka konstatuar krejt diçka tjetër në raportin zyrtar. /Gazeta Shneta/