Një mjek nga Vushtrria po i vlerëson si të gabuara dhe të panevojshme disa masa të marra sot nga Komuna e Vushtrrisë. Mbajtja e dorëzave nga qytetarët nuk është rekomanduar as nga Organizata Botërore e Shëndetësisë
Kjo komunë ka shtuar disa masa kundër përhapjes së koronavirusit pas konfirmimit të 21 rasteve pozitive. Komuna ka obliguar stafin civil që të pajisen me maska mbrojtëse dhe dorëza, urdhër të njëjtë ka dhënë edhe për bizneset ndërsa ka kërkuar nga marketet që të bëjnë dezinfektimin e karrocave pas çdo përdorimi, shkruan Gazeta Shneta.
Por një prej masave që po kontestohet nga një mjek në Vushtrri është ajo për konsumatorët e marketeve të cilët nuk do të mund të marrin shërbime nëse nuk mbajnë maska dhe dorëza.
“Asnjë biznes nuk do të i ofroj shërbim (shitje të mallit) asnjë konsumatori i cili hyn në lokalin e biznesit pa maskë dhe dorëza. Në raste të tilla Inspektorati i komunës do të mbyllë dhe shqiptoj gjoba konform legjislacionit në fuqi çdo biznesi në të cilin gjenden konsumatorë që janë të pa mbrojtur me pajisje personale mbrojtëse (maska dhe dorëza). Po ashtu gjoba do të iu shqiptohen konform rregullativës ligjore edhe konsumatorëve që hyjnë pa mjete mbrojtëse personale (maska dhe dorëza)”, thuhet në njoftimin e komunës.
Dr. Hasan Rama, specialist i mjekësisë familjare dhe anëtar i Komisionit Etik në OMK, po e konsideron si të gabuar dhe të panevojshëm këtë urdhëresë të komunës. “Është rekomandim i gabuar me i detyrua qytetarët me bart dorëza dhe maska në market. Dorëzat janë vetëm një ‘lëkurë’ e dytë dhe mundësi e ‘rrejshme’ e mbrojtjes ngase konaminimi i tyre është tepër i rrezikshëm”, ka deklaruar Rama.
Ai thotë për Gazetën Shneta se në fakt urdhëresa do të duhej të ishte që marketet t’i shërbejnë klientëve të tyre dezinfektues, kurse klientët të mbajnë maska por jo dorëza. “Rekomandimi ose udhëresa do të duhej të ishte për marketet që t’iu shërbenin qytetarëve qasje në dezinfektues. Vetëm pastrimi dhe dezinfektimi mbron, jo dorëzat. Ato janë për profesionistë shëndetësorë. OBSH nuk rekomandon dorëzat për qytetarë”, ka deklaruar Rama.
Mbajtjen e dorëzave nga qytetarët nuk e rekomandon as Organizata Botërore e Shëndetësisë. Më 17 mars OBSH ka publikuar rekomandimin ku thuhet se dorëzat nuk ndihmojnë në mbrojtje nga koronavirusi.
“Larja e shpeshtë e duarve ndihmon në mbrojtje nga koronavirusi, më shumë ësa vendosja e dorëzave. Ju mund të kontaminoheni nga koronavirusi edhe përmes dorëzave dhe nëë e prekni fytyrën me dorëza të kontaminuara, virusi do të mund t’ju ngjitet”, thuhet në përgjigjen e OBSH-së për çështjen e mbajtjes së dorëzave. /Gazeta Shneta/