Një komitet parlamentar në Kanada ka rekomanduar që personat, gjendja e vetme shëndetësore e të cilëve është një sëmundje mendore, të përjashtohen për një periudhë të pacaktuar nga programi i ndihmës mjekësore për të vdekur (MAID). Ky rekomandim pritet të ndikojë në vendimin e qeverisë lidhur me një nga debatet më të ndjeshme që nga legalizimi i vdekjes së asistuar në vend, dhjetë vjet më parë.
Raporti 98-faqësh i komitetit të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit përmban vetëm një rekomandim: që personat me çrregullime mendore si gjendje të vetme mjekësore të mos kenë të drejtë të përfitojnë nga eutanazia, raporton BBC.
Sipas raportit, gjatë dëshmive të ekspertëve u evidentuan qëndrime të ndryshme, por një shqetësim i përbashkët ishte mungesa e qasjes së barabartë dhe të mjaftueshme në shërbimet e shëndetit mendor, transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, disa anëtarë të komitetit kundërshtuan përfundimet dhe publikuan një raport të veçantë, duke e cilësuar procesin si të njëanshëm dhe të mangët.
Kanadaja kishte planifikuar që personat me sëmundje mendore të bëheshin të pranueshëm për eutanazi, por zbatimi është shtyrë dy herë dhe aktualisht është planifikuar për mars të vitit 2027. Kryeministri aktual, Mark Carney, ka deklaruar se do të presë raportin përpara se të vendosë për hapat e ardhshëm.
Kundërshtarët e zgjerimit argumentojnë se është e pamundur të parashikohet me siguri nëse një sëmundje mendore do të përmirësohet në të ardhmen. Nga ana tjetër, mbështetësit e ndryshimit ligjor thonë se përjashtimi i personave me sëmundje mendore është diskriminues dhe cenon të drejtat kushtetuese.
Ligjet aktuale kanadeze për eutanazinë janë zgjeruar gradualisht që nga viti 2016. Sipas të dhënave më të fundit, rreth 5% e të gjitha vdekjeve në Kanada ndodhin përmes MAID. Një sondazh i publikuar këtë muaj tregoi se 77% e kanadezëve mbështesin programin në përgjithësi, por mbështetja bie në 42% kur bëhet fjalë për personat që vuajnë vetëm nga sëmundje mendore.
Debati mbetet larg përfundimit dhe pritet që qeveria të japë përgjigjen zyrtare ndaj raportit brenda javëve të ardhshme. /Gazeta Shneta/


