Fazile Berisha nga Hajvalia e Prishtinës, me banim afër rezidencës së zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, ka njoftuar për Express se ofron shërim për sëmundje dhe probleme të ndryshme, përfshirë këtu edhe për gra shtatzëna.
Dhjetëra persona, kryesisht gra, gjatë gjithë ditës presin pranë një shtëpie dykatësh në Hajvali. Të gjithë këta kanë nga një hall, për të cilin kërkonin zgjidhje tek një grua që thotë se ka dhunti për të bërë mrekulli. Në katin e dytë të shtëpisë me ngjyrë të verdhë gratë ngjiteshin një e nga një. Ato priteshin nga zonja Fazile Berisha. Ajo me shami në kokë e me një palë tespihe në duar i priste personat që hynin në dhomën e saj.
Personat që hyjnë tek ajo janë kryesisht gra. Rreth 20 minuta zgjat seanca me këtë zonjë. Aty, gratë i tregojnë hallet e tyre.
Por, mënyra se si kjo zonjë rreth të 70’ve u gjen zgjidhje këtyre personave është unike. Ajo për Gazetën Express, ka rrëfyer për punën që e bën qe pothuajse 50 vjet.
Me vetëm leximin e librit të shenjtë për myslimanët, Kuranit, si dhe këndimin e 12 palë tespiheve ajo thotë se mund të zgjidhë shumë probleme, madje edhe ato të cilat nuk ka mundur t’i zgjidhë as shëndetësia e as shkenca.
“Dhuntia më ka ardh prej Zotit. Unë kam qenë duke jetu në katun, ka qenë ditë e premte dhe kam shku me marrë ujë prej kroit. Dy kova i kam pas në krah, dhe ka ardhë melaqja dhe më ka thanë nuk je ti për kova, dhe më ka pyet a falesh, i kam thanë jo, më ka pyet për dovë, i kam tregu se çfarë di. Më ka thanë merr abdes, dhe aty kam nisë me i fal pesë kohët. Dhe prej aty ka filluar dhuntia ime’, rrëfehet 69-vjecarja nga Hajvalia.
E tek kjo zonjë, gratë që nuk kishin mundur të lindnin fëmijë, sipas saj, zgjidhjen e kishin gjetur në Hajvali. Madje thotë se u ka ndihmuar edhe grave që për 18 vite nuk kanë pasur fëmijë.
“Ka raste që vijnë gratë të cilat gati 18 vite nuk kanë pas fëmijë. Unë grave që vijnë këtu iu them nëse jeni për tek unë, ju keni sukses, nëse nuk jeni, iu sugjeroj që të shkojnë te mjeku”.
E brenda ditës tek kjo grua, ilaç kërkojnë mbi 100 gra.
Megjithëkëtë, zonja nga Hajvalia, shprehet forma të tjera përveç leximit të Kuranit për shërim të këtyre personave nuk përdor./Gazeta Express/