Një vezë e ngjizur zakonisht udhëton 4-5 ditë në tub, prej vezores deri në mitër, ku mbarësohet brenda 6-7 ditëve pas pjellimit. Arsyeja më e zakonshme e shtatzanisë jashtë mitrës është dëmtimi i tubave të mitrës që shkakton bllokim apo ngushtim. Po ashtu, mund të ketë edhe problem me muret e mitrës, që zakonisht tkurren dhe bartin vezën e pjelluar në mitër.
Infektimet e pelvikut dhe apendiksit mund të shkaktojnë tubin që të përdridhet apo të ngjitet, kështu që e vonon kalimin e vezës dhe lejon vezën të mbarësohet në tub. Megjithatë, në shumicën e rasteve, mbarësimi i vezës në tub nuk është i ditur, transmeton Gazeta Shneta.
Përfundimet e mundshme
Në shumë raste shtatzënia jashtë mitrës nuk jeton gjatë dhe humbet para menstruacioneve, apo pas disa simptomeve të lehta, apo dhimbjes dhe gjakderdhjes. Në këto raste, shtatzania jashtë mitrës rrallë përcaktohet dhe mendohet se ka ndodhur dështim spontan. Në këto raste nuk ka nevojë për mjekim. Nëse veza vazhdon të jetojë, muri i hollë i tubit fillon të zgjerohet dhe të shkaktojë dhimbje në fund të barkut.
Mund të percillet edhe me gjakderdhje. Me zhvillimin e shtatzënisë, tubi mund të shpërthejë dhe të shkaktojë gjakderdhje të madhe, dhimbje dhe të fikët. Para se të ndodhë kjo, shtatzania jashtë mitrës mund të zbulohet me analiza të gjakut, të cilat tregojnë se hormonet normale gjatë shtatzanisë nuk janë duke u rritur siç duhet.
Simptomat e shtatzënisë jashtë mitrës
Çdo grua që është aktive në marrëdhënie seksuale, në moshën kur mund të mbesë shtatzanë dhe ka dhimbje të barkut, dyshohet se ka shtatzani jashtë mitrës derisa të vërtetohet. Dhimbjet zakonisht fillojnë përnjëherë dhe mund të ketë apo mos të ketë gjakderdhje. Në shumicën e rasteve kjo ndodhë brenda javës së katërt dhe të dhjetë të shtatzanisë me simptomat në vijim:
– Dhimbje në një anë të barkut. Dhimbja mund të jetë ngulmuese dhe e rëndë, por kjo mund që të mos jetë në anën e shtatzanisë.
– Dhimbje në krye të krahut. Kjo mund të ndodhë për shkak të gjakderdhjes së brendshme që e ngacmon diafragmën.
– Testi i shtatzënisë. Testi mund të jetë pozitiv, por jo gjithmonë. Analizat e posaçme të gjakut duhet ndonjëherë të bëhen për ta vërtetuar shtatzaninë.
– Gjakderdhje anormale. Femrat nuk mund ta dinë se janë shtatzanë dhe mendojnë se janë duke kaluar një periudhë menstruale të jashtëzakonshme. Ajo mund të ketë vënë spiralen. Gjakderdhja mund të jetë e rëndë apo më e lehtë se menstruacionet e zakonshme dhe mund të zgjasë më shumë se një ditë. Ndryshe nga gjakderdhja e menstruacioneve, kjo gjakderdhje mund të jetë në ngjyrë të mbyllur dhe e lëngshme. Ndonjherë përshkruhet si ‘lëng kumbulle’.
– Mungesa apo vonesa e menstruacioneve. Nëse kjo ndodhë, shatzania mund të dyshohet posaçërisht nëse përjetoni simptoma të shtatzanisë: për shembull vjellje, dhimbje në gji apo në bark, por jo gjakderdhje.
– Probleme me fshikëzën apo me zorrën e trashë. Dhimbje me jashtëqitjen.7 – Ju bien të fikët. Ju mund të ndjeheni shumë e dobët dhe kjo shpesh lidhet me ndjenjën se diçka shumë e keqe është duke ndodhur. Të tjera shenja janë zbehje, shpejtim i pulsit, vjellje dhe ulja e tensionit mund të ndodhë.
Gjendja juaj emocionale
Shtatzania jashtë mitrës mund të jetë përvojë e tmerrshme, ju me siguri duhet të shëroheni nga një operacion i madh, të përballoni humbjen e foshnjes dhe shpesh humbjen e një pjese të pjellshmërisë dhe ndoshta ju nuk e keni ditur që jeni shtatzanë në rend të parë. Gjendja juaj emocionale ndryshon shumë pas shtatzanisë jashtë mitrës, në javët dhe muajt e ardhshëm.
Ju mund të ndjeheni të lehtësuara nga dhimbja dhe shumë mirënjohëse që jeni gjallë, përderisa në të njëjtën kohë të ndjeheni shumë të pikëlluar për humbjen tuaj. Është e mundshme që ju duhet të shkoni në spital me shpejtësi dhe të bëheni operacion pa patur kohë të përgatiteni mentalisht.
Shumicën e kohës se çfarë ka ndodhur është jashtë kontrollit tuaj dhe ju lë juve në gjendje të tronditur. Nëse mjekët nuk kanë gjetur sqarim të qartë mjekësor për shkakun e shtatzanisë jashtë mitrës, natyrisht që ju dëshironi të kuptoni arsyet dhe mund të filloni ta fajësoni veten. Është me rëndësi që ju të kuptoni se nuk jeni shkaktare e kësaj ngjarje.
Humbja e papritur e shtatzanisë do t’i lëjë hormonet të çrregulluara dhe kjo mund t’ju sjellë ndjenja të depresionit dhe pikëllim të madh.
Kuptohet se humbja e menjëhershme e shtatzanisë dhe nevoja për shërim nga një operacioni i madh mund të shkaktojë gjendje të vështirë në jetën familjare. /Gazeta Shneta/