Skuqjet e lëkurës dhe gungat e kuqërremta në gishta e duarve dhe gishtërinj e këmbëve duhet të konsiderohen si një simptomë kryesore e koronavirusit, thanë studiuesit nga King’s College London.
Skuqjet e lëkurës mund të ndodhin në mungesë të simptomave të tjera, sugjeron një studim i ri i udhëhequr nga universiteti në fjalë në Mbretërinë e Bashkuar shkruan CNN përcjell Gazeta Shneta.
Simptomat kryesore të koronavirusit që pranohen gjerësisht përfshijnë ethe, kollë dhe gulçim, por janë sugjeruar një sërë shenjash të tjera, përfshirë humbjen e erës dhe shijes në disa pacientë.
Studiuesit e King’s College London përdorën të dhëna nga aplikacioni që kishte përfshirë simpotmat e Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar.
Ata zbuluan se 8.8% e njerëzve që testuan pozitivisht për koronavirus raportuan një skuqje të lëkurës si simptomë, krahasuar me 5.4% të njerëzve që testuan negativ.
Ekipi vendosi pastaj një studim të veçantë në internet, duke mbledhur informacione nga gati 12,000 njerëz me skuqje të lëkurës dhe të dyshuar ose konfirmuar me Covid-19.
Ata zbuluan se 17% e të anketuarve që testuan pozitivisht për virusin raportuan një skuqje si simptomën e parë të sëmundjes. Për 21% të njerëzve që raportuan një skuqje thanë se kjo ishte simptoma e tyre e vetme.
“Shumë infeksione virale mund të ndikojnë në lëkurë, kështu që nuk është për t’u habitur që ne po shohim këto skuqje nga Covid-19”, tha autore kryesor Dr. Veronique Bataille, dermatologe konsulente në Spitalin St Thomas dhe King’s College London.
“Sidoqoftë, është e rëndësishme që njerëzit të dinë që në disa raste, një skuqje mund të jetë simptoma e parë ose e vetme e sëmundjes. Kështu që nëse vëreni një skuqje të re, duhet ta merrni seriozisht duke u izoluar dhe duke u testuar sa më shpejt të jetë e mundur ” u shpreh ajo. /Gazeta Shneta/