Një raporti i Auditorit të Brendshëm në QKUK ka zbuluar material pa afat në vlerë mbi 260 mijë Euro në Klinikën e Radiologjisë
Klinika e Radiologjisë në QKUK ka humbur material në vlerë rreth 260 mijë Euro, pasi të njëjtit i ka skaduar afati. Kjo gjendje është zbuluar nga një Auditim i Brendshëm i Barnatores Qendrore të QKUK-së, shkruan Gazeta Shneta.
Në raportin të cilin e posedon Gazeta, ku është evidentuar pranimi dhe dorëzimi i barnave dhe materialeve, si dhe shpenzueshmëria e tyre nëpër klinika, është gjetur se materiali medicinal në Radiologji është pranuar në dhjetor të vitit 2019 dhe nuk është përdorur asnjëherë.
Në Kabinetin e Angjio Sallës së Radiologjisë i cili gjendet në ndërtesën e Klinikës së Neurologjisë, është gjetur sasi e materialit medicinal si në vijim, tre lloje të seteve për aplikimin inter-arterial të citostatikëve, gjilpëra injektuese në formë të lakuar, të gjitha në vlerë mbi 84 mijë Euro, si dhe Set me shiring të balonave vlera e të cilave nuk dihet.
Ndërkaq poashtu është evidentuar material me afat të skaduar në vlerë mbi 175 mijë Euro.
“Në Klinikën e Radiologjisë kemi gjetur material të cilit i kishte skaduar afati i cili është pranuar nga viti 2019 dhe ka skaduar në vitin 2021 pa u përdorur fare dhe që ka vlerën 175.326,00 Euro, po ashtu ekziston një sasi e materialit me afat të skaduar që nuk kemi mundur ta identifikojmë vlerën. Ky furnizim është bërë në bazë të planifikimit vjetor të Klinikës”, thuhet në raport.
Raporti poashtu citon kryeinfermieren e Klinikës e cila ka deklaruar se “kur furnizimi bëhet nga kompanitë tenderuese për produkte medicinale në Barnatoren Qendrore të QKUK-së sipas deklaratës së kryeinfermieres së klinikës, edhe pse njësia kërkuese Klinika e Radiologjisë nuk ka bërë kërkesë për furnizim me produkte medicinale të caktuara duhet të shkoj të i marr nga Barnatorja Qendrore dhe t’i vendos në depo të klinikës, kështu që një gjë e tillë është praktikë jo e mirë që pa pasur nevoj për produkte medicinale të ngarkohet klinika dhe të ju skadoj afati pa i shfrytëzuar fare për pacientë”, thuhet në raport.
Poashtu Auditori ka gjetur se në Angjio Sallë mungon edhe regjistrimi vjetor i materialit medicinal dhe kartelat për regjistrimin e mallit.
Raporti gjithashtu përmend edhe disa lloje të barnave të Listës Esenciale që kanë munguar gjatë vitit 2021 në klinikat e QKUK-së si dhe theksohen gabime në regjistrimin e barnave në kartelat e barnatoreve doracake. Kryeinfermierët për këto gabime janë arsyetuar me ngarkesë në punë dhe mungesë të stafit.
Në anën tjetër Auditori ka gjetur se në Barnatoren Qendrore stoku në fillim të vitit dhe raporti i daljeve në SMSF dhe stoku në fund të vitit është përputhur në testimin e 30 llojeve të barnave dhe materialit medicinal.
Auditori poashtu ka theksuar se funksionalizimi i Shërbimit Farmaceutik me vendim të Bordit të SHSKUK-së në vitin 2016, është në kundërshtim me Statutin e QKUK-së i cili në nenin 10, pika 1.3 e ka të vendosur Barnatoren Qendrore në kuadër të Shërbimeve të Përbashkëta. Kjo është një nga vërejtjet që Auditori e ka rekomanduar Bordin e SHSKUK-së që të propozojë funksionalizimin e Shërbimit Farmaceutik me miratim të Ministrit të Shëndetësisë. /Gazeta Shneta/




