Humbja e interesit, lodhja, ndryshimet në gjumë dhe oreks, si dhe trishtimi i vazhdueshëm janë simptoma të zakonshme tek nënat me depresion perinatal. Por si zhvillohen këto simptoma me kalimin e kohës?
Një studim pionier, i udhëhequr nga Maria Spinelli me mbështetjen e Fondacionit BIAL, ndoqi rrugët e depresionit perinatal në katër periudha të ndryshme: në fund të shtatzënisë dhe tre, gjashtë e nëntë muaj pas lindjes, shkruan burimi Medical Xpress transmeton Gazeta Shneta.
Periudha perinatale, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fillon nga java e 22 e shtatzënisë dhe zgjat deri shtatë ditë pas lindjes. Ky është një moment sfidues për shumë gra për shkak të ndryshimeve të mëdha fizike dhe psikologjike.
Depresioni perinatal prek rreth 10-25% të grave, duke u shfaqur gjatë shtatzënisë ose deri një vit pas lindjes.
Studimi u realizua nga Universiteti G. d’Annunzio Chieti-Pescara dhe Universiteti i Pavia-s në Itali, ku u analizuan faktorë individualë si ndjeshmëria ndaj stimujve të jashtëm dhe të brendshëm – dhe faktorë kontekstual si mbështetja nga partneri gjatë shtatzënisë.
Rezultatet treguan se disponimi u përkeqësua menjëherë pas lindjes, por përmirësohej me kalimin e kohës.
Nënat me ndjeshmëri të lartë dhe mbështetje të pakët nga partneri ishin më të rrezikuara për ndjenja negative. Gjithashtu, depresioni prenatal ndikonte në reagimin emocional të foshnjës, duke e bërë atë më të prirur ndaj emocioneve negative.
Autorja Spinelli thekson rëndësinë e përfshirjes së partnerit në programet mbështetëse për nënat, si dhe promovimin e kontaktit interaktiv në periudhën pas lindjes për të forcuar lidhjen nënë-fëmijë dhe për të ulur stresin. Kjo ndihmon në përshtatjen emocionale dhe krijon baza të forta për marrëdhënie të shëndetshme familjare. /Gazeta Shneta/


