Prej vitesh na është thënë se ekranet e telefonave, kompjuterëve dhe televizorëve po na prishin gjumin për shkak të dritës blu që emetojnë. Megjithatë, studime të reja sugjerojnë se ndikimi i tyre mund të jetë shumë më i vogël sesa besohej deri më sot.
Gazetari i BBC-së, Thomas Germain, vendosi ta testonte vetë këtë teori. Për disa javë ai mbajti syze speciale që bllokojnë pothuajse të gjithë dritën blu, mbuloi dritaret me perde të errëta dhe ndriçoi banesën vetëm me qirinj gjatë mbrëmjes. Qëllimi ishte të kuptonte nëse eliminimi i dritës blu do t’i përmirësonte ndjeshëm gjumin.
Shqetësimi publik për dritën blu u rrit pas një studimi të vitit 2014, i cili tregoi se personat që lexonin në tablet para gjumit flinin më vonë dhe prodhonin më pak melatoninë, hormonin që ndihmon organizmin të përgatitet për gjumë. Kjo çoi në përhapjen e filtrave të dritës blu në pajisjet elektronike dhe bindjen se ekranet janë armiku kryesor i gjumit, transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, ekspertët thonë se situata është më komplekse. Profesori Jamie Zeitzer nga Universiteti Stanford shpjegon se drita blu mund të ndikojë në ritmin biologjik të organizmit, por sasia e saj që vjen nga telefonat dhe ekranet është relativisht e vogël. Një analizë e 11 studimeve tregoi se përdorimi i ekraneve para gjumit e vonon fjetjen mesatarisht vetëm rreth nëntë minuta.
Madje, sipas disa hulumtimeve, ekspozimi ditor ndaj dritës blu nga pajisjet elektronike është shumë më i ulët sesa ai që marrim nga dielli gjatë një periudhe të shkurtër jashtë.
Specialistët e gjumit theksojnë se faktori më i rëndësishëm nuk është telefoni, por ekspozimi total ndaj dritës gjatë ditës. Drita e fortë në mëngjes ndihmon në rregullimin e orës biologjike, ndërsa reduktimi i ndriçimit në mbrëmje përgatit organizmin për gjumë.
Mesazhi kryesor i ekspertëve është se filtrat e dritës blu nuk janë zgjidhja magjike për pagjumësinë. Për një gjumë më cilësor ka më shumë rëndësi të kaloni kohë në dritë natyrale gjatë ditës dhe të shmangni ekspozimin e tepërt ndaj ndriçimit të fortë në orët e mbrëmjes. /Gazeta Shneta/


