Dhurimi i gjakut mbetet një nga shtyllat kryesore të sistemit shëndetësor, pasi nga rezervat e sigurta të gjakut varet trajtimi i pacientëve në operacione, emergjenca, sëmundje hematologjike, terapi onkologjike dhe shumë gjendje të tjera që kërkojnë transfuzion.
Në rubrikën “Mjeku i Javës”, ushtruesja e detyrës së drejtoreshës e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut, Dr. Albana Bislimi Krasniqi, flet për rëndësinë e dhurimit vullnetar të gjakut, gjendjen aktuale të furnizimit me gjak në Kosovë, ndikimin e Javës së Dhurimit të Gjakut në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar, si dhe prioritetet e saj në drejtimin e institucionit.
Intervista e plotë:
Gazeta Shneta: Sa i rëndësishëm është sot dhurimi i gjakut për funksionimin e sistemit shëndetësor në Kosovë?
Dr. Bislimi Krasniqi: Dhurimi i gjakut është një komponent esencial dhe i pazëvendësueshëm i sistemit shëndetësor në Kosovë. Çdo ditë, qindra pacientë varen nga disponueshmëria e gjakut dhe produkteve të gjakut, përfshirë pacientët kirurgjikë, onkologjikë, hematologjikë, gratë me komplikime gjatë lindjes dhe rastet emergjente.
Gjaku nuk mund të prodhohet në laborator dhe nuk ka zëvendësues artificial, prandaj burimi i vetëm mbeten dhuruesit vullnetarë. Çdo dhurim përfaqëson një akt të drejtpërdrejtë që shpëton jetë dhe mbështet funksionimin e sistemit shëndetësor.
Si e vlerësoni gjendjen aktuale të furnizimit me gjak në Kosovë?
Dr. Bislimi Krasniqi: Gjendja aktuale e furnizimit me gjak në Kosovë është stabile dhe nën kontroll, falë dhuruesve vullnetarë dhe punës së stafit të QKKTGJ dhe njësive të saj në terren. Megjithatë, nevojat për gjak janë të vazhdueshme dhe ndryshojnë çdo ditë, prandaj kërkojnë monitorim dhe planifikim të vazhdueshëm.
A arrijnë aktualisht rezervat e gjakut t’i mbulojnë nevojat e spitaleve gjatë gjithë vitit?
Dr. Bislimi Krasniqi: Në pjesën më të madhe të vitit, rezervat arrijnë të mbulojnë nevojat e spitaleve, por ekzistojnë periudha kur kërkesa rritet dhe numri i dhuruesve bie, si gjatë verës apo festave. Për këtë arsye, dhurimi i rregullt është i domosdoshëm për të shmangur mungesat.
Si ka ndikuar fushata e Javës së Dhurimit të Gjakut në rritjen e ndërgjegjësimit dhe interesimit të qytetarëve për dhurim gjaku?
Dr. Bislimi Krasniqi: Java e Dhurimit të Gjakut ka pasur ndikim shumë pozitiv në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar. Ka pasur pjesëmarrje të shtuar nga qytetarët, institucionet dhe veçanërisht të rinjtë, duke forcuar kulturën e dhurimit vullnetar si akt human dhe shoqëror.
A kemi mjaftueshëm dhurues vullnetarë të rregullt apo ende dominojnë dhurimet në raste emergjente?
Dr. Bislimi Krasniqi: Vitet e fundit është shënuar rritje e dhuruesve vullnetarë të rregullt dhe kjo është shumë inkurajuese. Dhurimet emergjente janë në rënie, çka tregon kalim gradual drejt një sistemi më të qëndrueshëm të dhurimit vullnetar.
Cilat janë grupet e gjakut që kërkohen më shpesh dhe pse është i rëndësishëm dhurimi i vazhdueshëm?
Dr. Bislimi Krasniqi: Të gjitha grupet e gjakut janë të rëndësishme, por grupet më të rralla janë më të vështira për t’u siguruar në raste nevoje. Meqë gjaku ka afat të kufizuar përdorimi, dhurimi i vazhdueshëm është thelbësor për të mbajtur rezervat e qëndrueshme.
Sa e sigurt është procedura e dhurimit të gjakut për qytetarët?
Dr. Bislimi Krasniqi: Dhurimi i gjakut është një procedurë shumë e sigurt dhe e kontrolluar. Çdo dhurues i nënshtrohet kontrollit mjekësor dhe procesi zhvillohet sipas standardeve ndërkombëtare me pajisje sterile dhe njëpërdorimshme.
Cilat janë prioritetet tuaja kryesore në detyrën tuaj si drejtoreshë e re e QKKTGJ?
Dr. Bislimi Krasniqi: Prioritet kryesor është sigurimi i një furnizimi të qëndrueshëm dhe të sigurt me gjak për të gjithë pacientët në Kosovë. Po ashtu, fokus mbetet rritja e dhuruesve vullnetarë, modernizimi i sistemit, forcimi i kapaciteteve laboratorike dhe përputhja me standardet ndërkombëtare.
Cili është mesazhi juaj për qytetarët që mund të dhurojnë gjak, por ende nuk e kanë bërë këtë hap?
Dr. Bislimi Krasniqi: Dhurimi i gjakut është një akt i thjeshtë, i sigurt dhe një nga veprat më humane që mund të bëjë një qytetar. Çdo njësi gjaku mund të shpëtojë jetë, prandaj i ftoj të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e këtij akti solidariteti dhe humanizmi.


