Antihistaminikët përdoren gjerësisht për lehtësimin e simptomave të alergjisë, por shumë gra shtatzëna pyesin veten nëse këto barna janë të sigurta gjatë kësaj periudhe.
Sipas studimeve, shumica e antihistaminikëve nuk janë lidhur me rritje të rrezikut për defekte të lindjes dhe konsiderohen relativisht të sigurt gjatë shtatzënisë. Megjithatë, ekspertët këshillojnë që çdo medikament të merret vetëm pas konsultimit me mjekun, shkruan burimi Very Well Health transmeton Gazeta Shneta.
Një analizë e të dhënave nga mbi 20 mijë foshnja në Shtetet e Bashkuara tregoi se përdorimi i antihistaminikëve gjatë tremujorit të parë nuk lidhej me shumicën e anomalive të lindjes që ishin raportuar më herët.
Studiuesit vlerësuan se lidhjet e sugjeruara në disa kërkime të mëparshme mund të kenë qenë rastësore dhe jo pasojë direkte e barnave.
Ndër antihistaminikët që konsiderohen më të sigurt janë ata të gjeneratës së dytë, si cetirizina dhe loratadina, të cilët shkaktojnë më pak përgjumje.
Gjithsesi, rekomandimi kryesor mbetet konsultimi me profesionistët shëndetësorë përpara përdorimit të çdo ilaçi, edhe kur ai mund të blihet pa recetë.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se gjatë shtatzënisë medikamentet duhet të përdoren në dozën më të ulët efektive dhe për periudhën më të shkurtër të mundshme.
Për gratë që preferojnë alternativa pa ilaçe, shpëlarja e hundës me solucion fiziologjik mund të ndihmojë në lehtësimin e bllokimit të hundëve dhe teshtimave të shkaktuara nga alergjitë.
Në fund, edhe pse shumica e antihistaminikëve duken të sigurt sipas të dhënave aktuale, vendimi për përdorimin e tyre duhet të merret gjithmonë në bashkëpunim me mjekun, duke peshuar përfitimet dhe rreziqet për nënën dhe foshnjën. /Gazeta Shneta/


