Foshnjat e lindura para javës së 37 të shtatzënisë konsiderohen si foshnja të parakohshme.
Konsiderohet që java e 24 e shtatzënisë është koha më e hershme kur foshnja është mjaft e zhvilluar që të mund të mbijetojë, por me ndihmën e mjekëve në mënyrë intensive.
Foshnjat e lindura para javës së 24 të shtatzënisë në shumicën e rasteve nuk janë të zhvilluara mjaftueshëm që të mbijetojnë.
Foshnjat e parakohshme janë zakonisht të vogla dhe të zhvilluara pamjaftueshëm, me peshë trupore më të vogël se 2.500 gramë. Foshnjat ekstremisht të pazhvilluara janë ato, të lindura para javës së 28 të shtatzënisë, dhe janë posaçërisht shumë të ndjeshme.
Karakteristikë themelore e foshnjës së parakohshme është pazhvillueshmëria e përgjithshme e organeve dhe sistemeve, të cilat janë të rëndësishme për jetë.
Lëkura e foshnjës është e hollë dhe e mbuluar me qime, enët e gjakut janë nën lëkurë dhe janë ende të dukshme. Muskujt dhe indet yndyrore të nënlëkurës janë të zhvilluara dobët, prandaj foshnja duket “e imët dhe e hollë”.
Të qarat menzi dëgjohen, ndërsa organet gjinore janë të pazhvilluara. Me kohë foshnja do të zhvillohet, do të përparojë, do të rritet dhe do të merr pamjen e foshnjës së lindur në kohë.
Gjatë ditëve të para të jetës, foshnja e parakohshme ka sistem të pazhvilluar të rregullatorit të temperaturës trupore, prandaj pa aranzhim të temperaturës së ambientit të jashtëm nuk mund ta mbajë temperaturën normale trupore. Në inkubator më lehtë mbahet temperatura dhe lagështia e ambientit të jashtëm.
Poashtu, inkubatori paraqet një ambient të izoluar dhe në këtë mënyrë mbron foshnjën nga infeksionet e mundshme. Prandaj, inkubatori më së miri siguron mjedisin për foshnjën e parakohshme të sëmurë dhe të pazhvilluar.
Inkubatorët parimisht përdoren për të arritur kushtet termoneutrale për foshnjet e lindura parakohe. Për këtë një nga kriteret e rëndësishme për daljen nga inkubatori në krevat, është aftësia e foshnjes ta ruajë temperaturën trupore.
Foshnja zakonisht nxjerret nga inkubatori kur gjendja e saj klinike stabilizohet dhe kur arrin peshën trupore prej 1.700 gjer në 1.800 gramë./arbresh.info/