Një ekografi Doppler që mat rrjedhjen e gjakut tek gratë shtatzëna mund të ndihmojë në zbulimin e funksionimit të placentës dhe të tregojë nëse ajo po furnizon në mënyrë të duhur foshnjën me oksigjen dhe ushqyes.
Në rast të devijimeve të përsëritura në këto matje, nevojitet monitorim shtesë i foshnjës, pasi ato tregojnë rrezik të shtuar për mungesë oksigjeni dhe komplikime të tjera shëndetësore, raporton Medical Xpress, përcjell Gazeta Shneta.
Studimi, i zhvilluar nga Amsterdam UMC në bashkëpunim me UMC Groningen dhe 17 spitale të tjera holandeze, është publikuar në revistën shkencore “British Journal of Obstetrics and Gynaecology”.
Rreth 10% e foshnjave të palindura klasifikohen si më të vogla për moshën e tyre gestacionale. Nëse ato janë të shëndetshme, zakonisht nuk kërkohet ndërhyrje gjatë shtatzënisë. Por kur placenta nuk funksionon siç duhet, mund të jetë e nevojshme të merren masa, madje edhe të nxitet lindja.
“Është thelbësore të identifikohet nëse foshnja është e vogël për shkak të placentës,” shpjegon Dr. Wessel Ganzevoort, profesor i asociuar i obstetrikës në Amsterdam UMC dhe udhëheqës i studimit.
Në këtë studim, përveç matjes standarde të rritjes, foshnjat iu nënshtruan një ekografi Doppler që mat rezistencën e enëve të gjakut në kordonin e kërthizës, duke ofruar të dhëna mbi qarkullimin në placentë. Ekografia gjithashtu mund të tregojë furnizimin me gjak në tru — një rritje e këtij furnizimi mund të sinjalizojë funksionim të dobët të placentës.
Studimi arriti në përfundimin se nxitja e lindjes para javës së 37-të të shtatzënisë nuk përmirëson rezultatet për foshnjën. Prandaj, rekomandohet që lindja të ndodhë pas kësaj kohe, për sa kohë nuk ekzistojnë rreziqe shtesë.
“Aftësitë diagnostikuese të ultratingullit Doppler njiheshin edhe më parë, por nuk janë ende praktikë standarde në të gjitha spitalet,” thekson Mauritia Marijnen, kandidate për doktoraturë në Amsterdam UMC dhe autore e parë e studimit.
“Tani kemi prova të qarta që kjo metodë ka vlerë të shtuar në zbulimin e shtatzënive me rrezik të lartë për shkak të funksionimit të dobët të placentës”. /Gazeta Shneta/


