Në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës shërbimi i Radioterapisë nuk është duke u ofruar për pacientët me kancer tash e një javë, madje nuk dihet sa do të zgjasë një situatë e tillë për shkak se reshjet e shiut kanë depërtuar brenda bodrumit të kësaj klinike dhe aparatura e këtij shërbimi është dëmtuar.
Ndonëse kanë kaluar shtatë ditë që kur aparatura në këtë klinikë është dëmtuar ende nuk dihet se sa është kosto e dëmit të shkaktuar.
“Ende s’kemi një vlerësim final të situatës sepse varet nga shërbimet teknike të QKUK-së dhe nga kompania qe i mirëmban aparaturat”, thotë drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ardian Millaku për Gazetën Shneta.
Ai sqaron se uji në bodrum është larguar plotësisht por megjithkëtë aparaturat janë të papërdorshme.
“Kompania e kontraktuar për mirëmbajtje të aparaturës mjekësore të Radioterapisë është duke analizuar situatën dhe n momentin që shërbimet teknike të QKUK-së mundësojn kushtet që të bëhet e mundshme testimi i aparaturave do të kemi të qart edhe dëmtimet e mundshme dhe kohën kur do të mund të kthehen në funksion këto aparatura”, shton tutje drejtori.
Pacientët të cilët kanë nevojë për shërbimin e radioterapisë nuk duhet të ndërprejnë këtë terapi për shkak se rrezikohet shëndeti i tij.
A.L tash e disa orë qëndronte përballë Klinikës së Onkologjisë pasi që brenda saj qëndronte gruaja e tij e diagnostifikuar me kancer.
Ai tha për Gazetën Shneta se në rastë se në QKUK nuk ofrohet zgjidhje për ofrimin e shërbimeve të Radioterapisë është i detyruar të marrë rrugën për në Turqi.
“Duhet me shku në Turqi. Nuk kemi zgjidhje tjetër”, u shpreh ai përderisa vlerëson se për tëpër këto vite nuk është bërë sa duhet në shëndetësin kosovare.
Në anën tjetër, Onkologjin dje e ka vizituar Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili bëri të ditur se janë në bisedime me Ministrin e Shëndetësisë në Shqipëri për të transferuar pacientët të cilët kanë nevojë për Radioterapi ndërsa ka potencuar se një bashkëpunim i tillë mund të bëhet edhe me shtet tjera rajonale.
Lista e pritjes për shërbimin e Raditerapisë është 233 ndërsa shërbime për pacientët me kancer ofrohen vetëm në Onkologji dhe në asnjë spital rajonal në vend./Gazeta Shneta/
Pacientëve me radioterapi u ndërpriten shërbimet në Onkologji