Ja pse nuk duhet ta përdorni smartfonin përpara fëmijëve

2017-05-24 në ora 15:57

Një studim i fundit u sugjeron prindërve dhe të rriturve që të mos e përdorin më smartfonin kur janë të shoqëruar nga fëmijët.

Por përkundrazi t’u japin atyre shembullin e mirë dhe t’i lënë të “mërziten” duke parë botën reale

Studimi

Një shikim i shpejtë i email-it të punës ndërkohë që jeni në kinema ose për darkë me fëmijët, duket një gjest i pafajshëm, por që po kthehet në një bumerang të fshehtë. Mania e internetit në fakt është e rrezikshme dhe po ndikon në sjelljet, shëndetin dhe performancat shkollore të të rinjve. Ai që e ka lançuar alarmin është Aric Sigman, i Shoqërisë Mbretërore të Mjekësisë, i bindur se jeta familjare dhe zhvillimi i më të vegjëlve duhet të mbrohen nga ndërhyrja e tabletave dhe e smartfonëve.

Por cilat janë zgjedhjet?

Të rriturit duhet të kujtojnë rolin e tyre model, duke u sjellë në mënyrën e duhur. Kjo do të thotë që të fiksoni rregulla të tilla si “vakte pa telefona nëpër duar”, ndërsa duhet të angazhoheni me faktin se bisedat dhe lojërat në telefon nuk duhet të ndërhyjnë në bashkëbisedimet familjare.

Eksperti sugjeron se duhet të vendoset edhe një limit kohe për qëndrimin e të vegjëlve përpara ekraneve të telefonave: jo më shumë se dy orë në ditë, përfshi edhe kohën e kaluar në shkollë.

Pra, me pak fjalë, prindërit duhet t’i vënë “kyçin” tabletës dhe telefonit, për t’u mundësuar fëmijëve kohë për t’u relaksuar e madje të mërziten me mënyrën që do të gjejnë vetë për t’u argëtuar.

“Mërzia, ka shpjeguar në ‘Daily Mail’ eksperti përgjatë një takimi në Londër, është një e mirë për fëmijët, u jep atyre mundësinë për të zbuluar se si është bota e se si mund të shkëputen prej saj kur dëshirojnë vetë.”

Dhe të dhënat zyrtare, të përmendura nga eksperti, i japin të drejtë. Brenda shtatë viteve përdoruesit e teknologjisë kanë luajtur me celularët dhe tabletat për ekuivalencë të një viti të tërë, 24 orë në ditë. Përdorimi i internetit mes të rinjve 16-24 vjeç është trefishuar brenda një dekade, aq sa disa tashmë kalojnë më shumë kohë në rrjete sesa në gjumë. Vigjilenca, vëmendja, përqendrimi dhe humori i fëmijëve po vuan nga kjo mbidozë, paralajmëron Sigman. Ja përse, thotë ai, është momenti që duhet reaguar dhe vepruar kundër këtij problemi të rrezikshëm.

Pasojat e përdorimit të internetit nga fëmijët

Qartësisht, fëmijët përfitojnë nga interneti duke mbajtur kontaktet me shokët, familjen, por gjithsesi është shqetësuese koha e gjatë që fëmijët harxhojnë në internet. Koha e gjatë në internet mund të shkaktojë depresion dhe vetmi. Prandaj, internet quhet edhe teknologjia e vetmisë. Shumë fëmijë, që për arsye të ndryshme nuk e gjejnë dot veten në botën reale, kërkojnë një arrati në një botë tjetër, atë virtuale. Për të mos harruar se koha e gjatë në internet, nuk u jep mundësinë fëmijëve për t’u marrë me aktivitete të tjera fizike, si futbolli, basketbolli etj., të cilat janë shumë të shëndetshme për ta. Përdorimi i internetit për një kohë të gjatë mund të dëmtojë shumë edhe sytë e fëmijëve. Qëndrimi për orë të tëra përpara ekranit, përpara rrezatimit të ekranit i dëmton mjaft sytë. Përdorimi i internetit dhe luajtja e lojërave në internet mund të shkaktojë probleme për të perceptuar realitetin. Shpesh fëmijët luajnë lojëra online ose në rrjetin Lan në qendra interneti, ku ata kanë role të caktuara. Kjo shkakton shpesh problem midis realitetit dhe fantazisë dhe duket qartë kur ata në jetën e përditshme përmendin emra personazhesh në lojëra të ndryshme. Ky interaksion virtual me përdorimin e identiteteve të ndryshme, mund të shkaktojë edhe probleme me personalitetin. Përdorimi i internetit e varfëron gjuhën e komunikimit. Shpesh adoleshentët e përdorin internetin për t’u futur në rrjetet sociale si “Facebook”, “Twitter, “Myspace” etj., dhe për të çatuar me miqtë e tyre. Kur çatojnë, ata shkruajnë me shkurtime, pastaj fillojnë që edhe në jetën e përditshme të flasin me shkurtime.

Masat që mund të marrin prindërit

Një pjesë e përgjegjësisë u takon edhe prindërve. Ata mund të bëjnë shumë që fëmijët e tyre të mos bien pre e rreziqeve të mësipërme. Prindërit mund të marrin këto masa: mos e vendosni kompjuterin në dhomën e fëmijës, por në një vend më të hapur, në sallon do të ishte më mirë. Salloni është një vend i hapur, ku rrinë edhe pjesëtarët e tjerë të familjes dhe kështu fëmijët do të kenë frikë të vizitojnë uebsajte të caktuara. Problemi këtu është fakti që fëmijët nuk futen në internet vetëm në shtëpinë tyre. Kështu, sipas një studimi në SHBA, rreth 45% e adoleshentëve futeshin në internet në shumë vende të tjera, si në shkollë, në librari, në shtëpinë e shokëve apo në qendra interneti. Herë pas here hidhini sytë tek ekrani i kompjuterit për të parë se çfarë faqe po viziton fëmija juaj. Por mos e teproni./Keshilla.net/