Në rubrikën “Mjeku i Javës” në Gazetën Shneta kësaj radhe vjen doktoresha e mjekësisë së përgjithshme Dr. Ermira Krasniqi e cila tregon për rëndësinë e vaksinimit, vaksinimi i fëmijeve dhe ndikimi që ka në imunitet.
Dr. Ermira Krasniqi i përfundoi studimet në drejtimin Mjekësi e Përgjithshme në vitin 2020, në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Momentalisht punon në Qendrën Kryesore të Mjekësise Familjare në Obiliq.
Në fillimet e saja ajo në QKMF është angazhuar në Departamentin e Mjekësisë Familjare dhe në shërbimin urgjent ndërsa së fundi në kujdesin Paliativ.
Në kuadër të punës në këtë qendër, Krasniqi ka mbajtur edhe trajnime të organizuara për edukim të vazhdueshëm profesional duke përfshirë edhe trajnime lidhur me vaksinim dhe imunizim.
Misioni i programit të vaksinimit është të mbrojë popullatën dhe çdo individ nga sëmundjet që parandalohen nga vaksinat nëpërmjet sigurimit të vaksinave të duhura sipas grup moshave dhe sëmundjeve përkatëse, sidomos tek fëmijët.
Doktoresha në vazhdim tregon rëndësinë e vaksinimit dhe përkujdesjes së shëndetit pas konsulltave mjekësore.
Në kohët e fundit ka ndryshuar kalendari i imunizimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. A mundeni me na tregu cilat vaksina janë shtuar në kalendar? Sa vaksina janë gjithësej dhe cilat janë ato?
- Kalendari i rregullt i vaksinimit në vendin tonë ka ndryshuar prej tetorit të këtij viti. Në kuadër të vaksinave ekzistuese, nga IKSHPK janë shtuar edhe tre vaksina të reja, me rëndësi të rëndësishme për shëndetin e popullatës tonë. Këto vaksina janë: ajo kundër Pneumokokut, Rotavirusit dhe HPV-se (Virusi i Papillomës Humane). Ndërsa sipas OBSH-së, sot ekzistojnë vaksina që mbrojnë ndaj më tepër se 20 sëmundjeve të rënda.
Sa është e rëndësishme të vaksinojmë fëmijët sipas këtij kalendari? Cilat sëmundje parandalohen?
- Vaksinimi i fëmijëve sipas kalendarit të rregullt është më se i rëndësishëm që fëmijët të rriten të shëndetshëm dhe të arrijnë potencialin e tyre maksimal. Vaksinat parandalojnë sëmundje dhe komplikime të rënda që mund të vijnë prej këtyre sëmundjeve, e rrjedhimisht shpëtojnë jetë. Aplikimi i vaksinave në origjinë ka filluar qysh në fund të viteve 1700 nga Dr. Edward Jenner. Që nga ajo kohë, zhvillimi dhe përmirësimi i vaksinave ndër vite dhe rëndësia e tyre për shëndetin e popullatës është treguar duke përfshirë edhe hulumtimet e artikujt shkencorë që janë botuar në revista me impakt faktor të lartë në tërë botën.
A është problematike nëse shtyhet ose vonohet koha e paraparë e vaksinimit?
- Kalendari i vaksinimit përpos që i përcakton vaksinat, na jep të dhëna edhe për kohën më të përshtatshme të administrimit të tyre dhe do të ishte optimale që këto kushte kohore të respektohen. Gjithashtu është e rëndësishme që imuniteti të mirëmbahet, prandaj edhe ekziston rivaksinimi, që do të thotë se gjatë kohës që fëmija është i pavaksinuar, ai është i rrezikuar nga sëmundja. Mirëpo në çdo qendër vaksinimi, përpara aplikimit të vaksinës, fëmija së bashku me prindin këshillohen me mjekun e qendrës, i cili e kryen ekzaminimin mjekësor të fëmijës dhe përcakton nëse fëmija është në gjendje të mirë shëndetësore për vaksinim dhe nuk ka kundërindikacione. Por ka edhe raste kur pas kontrolles mjekësore, mjeku e sheh të arsyeshme që vaksinimi të shtyhet/anulohet, atëherë kjo diskutohet me prindin dhe jepet çdo sqarim i nevojshëm, prandaj prindërit nuk duhet të hezitojnë të konsultohen me mjekun për çfarëdo paqartësie ose hezitimi që ata kanë në lidhje me vaksinimin.
A mund të rrezikohen fëmijët nga sëmundjet në të ardhmen, nëse nuk i marrin vaksinat në fëmijëri?
- Nëse fëmija nuk vaksinohet, atëherë nuk ekziston imunitet kundrejt atyre sëmundjeve të cilat vaksinat normalisht i parandalojnë. Kjo nënkupton që më vonë këto sëmundje mund të manifestohen dhe të shfaqen edhe komplikime të rënda të tyre. Të tilla sëmundje mund të jenë: morbilli(që njihet si fruthi në popullatë), varicella (lija e ujit), tuberkulozi, hepatiti e shumë të tjera.
A ka efekte anësore nga vaksinimi dhe cilat janë ato?
- Vaksinat monitorohen vazhdimisht për sigurinë e tyre, por sikurse çdo medikament tjetër, edhe ato mund të shkaktojnë efekte anësore. Në shumicën e rasteve, keto efekte anësore janë të lehta, mund të menaxhohen në shtëpi dhe kalojnë brenda disa ditëve. Disa prej efekteve të tilla janë: dhimbje, skuqje ose ënjtje në vendin e injektimit, ethe dhe temperaturë, humbje apetiti, plogështi, kokë dhimbje, vjellje e të tjera. Sipas OBSH-së dhe CDC-së, efekte të tjera të rënda ndodhin shumë rrallë dhe për shkak të kësaj, është vështirë që statistikisht të përshkruhet rreziku (1 në mijëra deri në 1 në milionë doza). Mirëpo të tilla efekte të rralla, njihen edhe të çdo ilaç tjetër, e ato janë: konvulzionet, reaksionet serioze alergjike, dëmtime të tjera të rënda/fataliteti.
Cila është rëndësia e vaksinimit me vaksinën HPV?
- Vaksina HPV mbron nga Virusi i Papillomës Humane, që është njëri prej viruseve më të shpeshta të transmetuar nga kontakti seksual. Ekzistojnë tipe të veçanta të këtij virusi, që njihen si HPV me rrezik të lartë, e që ndër të tjera, shkaktojnë kancer të qafës së mitrës te femrat. Kanceri cervikal është malinjiteti i katërt më i shpeshtë në botë te gjinia femerore dhe sipas CDC-së, HPV vaksinimi mund të mbrojë nga 90% të kancereve të shkaktuara nga ky virus. Prandaj e konsideroj shumë të rëndësishëm faktin që kjo vaksinë ka hyrë në kuadër të vaksinimit të rregullt edhe në vendin tonë, dhe do të administrohet në një dozë, te vajzat e moshës 12 vjeçare (në klasën e VI-te).
Cilat janë këshillat e juaja për prindërit në lidhje me vaksinimin e fëmijëve?
- Vaksinimi dhe imunizimi janë komponente bazë për një jetë të shëndetshme, dhe si të tilla janë e drejtë njerëzore e secilit. Profesionistët shëndetësorë i ofrojnë këto shërbime për të gjithë qytetarët tanë, prandaj i inkurajoj prindërit të informohen mbi rëndësinë e vaksinimit dhe të kontaktojnë me mjekun për çdo pyetje lidhur me këtë çështje.”
/GazetaShneta/