Sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të jenë ndër sfidat më të mëdha shëndetësore në Kosovë dhe në mbarë botën, duke shkaktuar miliona vdekje çdo vit. Faktorë të shumtë, si duhanpirja, ushqyerja jo e shëndetshme, mungesa e aktivitetit fizik dhe stresi, ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e zemrës dhe enëve të gjakut.
Për të kuptuar më mirë rrezikun që paraqesin këto sëmundje, mënyrat e parandalimit dhe rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, në rubrikën “Mjeku i Javës” kemi biseduar me Dr. Osmani Ramadani, internist-kardiolog në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit. Ai flet për format më të shpeshta të sëmundjeve kardiovaskulare, faktorët e rrezikut, parandalimin primar dhe sekondar, si dhe simptomat që nuk duhet të neglizhohen nga qytetarët.
Intervista e plotë:
Shneta: Çfarë janë sëmundjet kardiovaskulare dhe cilat janë format më të shpeshta që hasen në praktikën klinike?
Dr. Ramdani: Sëmundjet kardiovaskulare përfshijnë sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut, të cilat në shumicën e rasteve shkaktohen nga ateroskleroza, përkatësisht krijimi i pllakave aterosklerotike në muret e enëve të gjakut. Këto pllaka dëmtojnë enët, ngushtojnë lumenin e tyre dhe në raste të caktuara mund të shkaktojnë mbylljen e plotë të enës së gjakut. Si pasojë, pengohet furnizimi normal me gjak i organeve vitale si zemra, truri dhe gjymtyrët. Në praktikën klinike, format më të shpeshta të sëmundjeve kardiovaskulare janë angina pectoris stabile dhe jostabile, infarkti i miokardit, insulti cerebrovaskular dhe sëmundjet e arterieve periferike.
Sa përbëjnë sëmundjet kardiovaskulare një problem shëndetësor në Kosovë dhe cilat grupmosha preken më së shumti?
Dr. Ramdani: Sëmundjet kardiovaskulare përbëjnë një ndër problemet më të mëdha shëndetësore jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë botën, pasi vazhdojnë të jenë shkaku kryesor i vdekshmërisë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 18 milionë njerëz humbin jetën çdo vit si pasojë e këtyre sëmundjeve, që përbën rreth 31% të të gjitha vdekjeve në nivel global. Në Evropë, çdo e treta vdekje lidhet me sëmundjet kardiovaskulare, ndërsa në vendet më pak të zhvilluara kjo përqindje arrin deri në 40%. Edhe pse Kosova nuk disponon statistika të plota dhe të sakta, përgjithësisht më të prekur janë meshkujt mbi moshën 45-vjeçare dhe femrat mbi moshën 55-vjeçare. Megjithatë, vitet e fundit po vërehet një rritje e rasteve edhe në grupmosha më të reja, gjë që paraqet shqetësim serioz për shëndetin publik.
Cilët janë faktorët kryesorë të rrezikut që ndikojnë në zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare?
Dr. Ramdani: Faktorët e rrezikut ndahen në faktorë të pandryshueshëm dhe faktorë të ndryshueshëm. Në grupin e faktorëve të pandryshueshëm bëjnë pjesë predispozita gjenetike, mosha, gjinia dhe diabeti. Ndërsa faktorët e ndryshueshëm janë ata mbi të cilët mund të ndikojmë përmes stilit të jetesës. Këtu përfshihen ushqyerja jo e shëndetshme, konsumimi i tepërt i yndyrnave shtazore dhe kripës, duhanpirja, konsumimi i alkoolit, mbipesha dhe obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik, stresi kronik, hipertensioni arterial dhe niveli i lartë i kolesterolit në gjak.
Çfarë nënkupton parandalimi primar i sëmundjeve kardiovaskulare dhe cilat masa rekomandohen për personat që nuk kanë ende sëmundje të zemrës?
Dr. Ramdani: Parandalimi primar nënkupton marrjen e masave për të parandaluar shfaqjen e parë të sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut tek personat që nuk kanë pasur më parë infarkt të miokardit, insult cerebral apo ndonjë sëmundje tjetër kardiovaskulare. Kjo arrihet kryesisht përmes shmangies së faktorëve të rrezikut. Rekomandohet ndërprerja e duhanit, ushqyerja e shëndetshme dhe e balancuar, aktiviteti fizik i rregullt, mbajtja nën kontroll e peshës trupore, menaxhimi i stresit dhe kontrolli periodik i parametrave shëndetësorë. Kur është e nevojshme, mund të rekomandohet edhe terapi medikamentoze sipas udhëzimeve të mjekut.
Sa ndikojnë mënyra e të ushqyerit, aktiviteti fizik, duhanpirja dhe stresi në shëndetin e zemrës dhe enëve të gjakut?
Dr. Ramdani: Këta faktorë kanë ndikim shumë të madh në zhvillimin dhe progresin e sëmundjeve kardiovaskulare. Duhanpirja dëmton enët e gjakut, rrit tensionin arterial dhe favorizon formimin e pllakave aterosklerotike. Ushqyerja jo e shëndetshme, e pasur me yndyrna të ngopura, kripë dhe sheqerna, kontribuon në rritjen e kolesterolit, hipertensionit, obezitetit dhe diabetit. Mungesa e aktivitetit fizik lidhet ngushtë me shtimin e peshës trupore dhe rritjen e rrezikut për sëmundje koronare. Ndërkaq, stresi kronik ndikon në rritjen e hormoneve të stresit, të cilat rrisin tensionin arterial, nivelin e glukozës dhe yndyrnave në gjak, duke dëmtuar gradualisht enët e gjakut. Studimet kanë treguar se një stil i shëndetshëm jetese mund të ulë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare me më shumë se 50%.
Sa të rëndësishme janë kontrollet e rregullta të tensionit arterial, kolesterolit dhe nivelit të sheqerit në gjak për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare?
Dr. Ramdani: Kontrollet e rregullta janë thelbësore për zbulimin e hershëm të faktorëve të rrezikut. Ato mundësojnë identifikimin në kohë të hipertensionit arterial, diabetit dhe çrregullimeve të yndyrnave në gjak, duke krijuar mundësinë për ndërhyrje të hershme përmes ndryshimeve në stilin e jetesës ose trajtimit medikamentoz. Kjo ndihmon në uljen e rrezikut për komplikime serioze si infarkti i miokardit dhe insulti cerebral. Sa më herët të diagnostikohen këta faktorë, aq më të mëdha janë mundësitë për kontrollin e tyre dhe parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
Çfarë është parandalimi sekondar dhe pse është i domosdoshëm për pacientët që kanë kaluar infarkt të zemrës apo ngjarje të tjera kardiovaskulare?
Dr. Ramdani: Parandalimi sekondar përfshin masat që ndërmerren tek pacientët të cilët kanë kaluar tashmë një ngjarje kardiovaskulare, si infarkti i miokardit, insulti cerebral, sëmundja koronare e zemrës apo sëmundja e arterieve periferike. Qëllimi është të parandalohet përsëritja e këtyre ngjarjeve, të zvogëlohet rreziku i komplikimeve dhe të përmirësohet cilësia e jetës. Këta pacientë kanë rrezik më të lartë për një infarkt të dytë, insuficiencë kardiake ose vdekje kardiovaskulare, prandaj është shumë e rëndësishme që të kryejnë kontrolle të rregullta, të marrin terapinë sipas rekomandimit të mjekut dhe të zbatojnë një stil të shëndetshëm jetese.
Cili është roli i terapisë medikamentoze dhe rehabilitimit kardiak në parandalimin e komplikimeve dhe përsëritjes së sëmundjes?
Dr. Ramdani: Terapia medikamentoze dhe rehabilitimi kardiak janë komponentë kyç të trajtimit pas një ngjarjeje kardiovaskulare. Barnat ndihmojnë në uljen e rrezikut për infarkt ose insult të ri, kontrollin e tensionit arterial, uljen e kolesterolit, parandalimin e formimit të mpiksjeve të gjakut dhe përmirësimin e funksionit të zemrës. Ndërkohë, rehabilitimi kardiak përfshin programe të strukturuara të aktivitetit fizik, edukimit shëndetësor dhe mbështetjes psikologjike. Kombinimi i këtyre dy komponentëve ul rrezikun e komplikimeve të mëtejshme, zvogëlon shtrimet e përsëritura në spital dhe përmirëson mbijetesën afatgjatë të pacientëve.
Cilat janë simptomat paralajmëruese të sëmundjeve kardiovaskulare që qytetarët nuk duhet t’i neglizhojnë?
Dr. Ramdani: Sëmundjet kardiovaskulare shpesh japin shenja paralajmëruese që kërkojnë vlerësim të menjëhershëm mjekësor. Simptomat më të rëndësishme përfshijnë dhimbjen, shtrëngimin ose presionin në gjoks, veçanërisht gjatë aktivitetit fizik ose stresit, vështirësinë në frymëmarrje, rrahjet e çrregullta ose të shpejta të zemrës, marramendjen dhe humbjen e vetëdijes. Gjithashtu, duhet kushtuar vëmendje lodhjes së pashpjegueshme, ënjtjes së këmbëve, dhimbjes që përhapet në krah, qafë, nofull apo shpinë, si dhe djersitjes së ftohtë, nauzesë dhe ndjenjës së ankthit të papritur, veçanërisht kur shoqërohen me dhimbje gjoksi.
Çfarë mesazhi do t’u jepnit qytetarëve për ruajtjen e shëndetit të zemrës dhe uljen e rrezikut nga sëmundjet kardiovaskulare?
Kujdesi për zemrën nuk është vetëm përgjegjësi e mjekut, por një angazhim i përditshëm i secilit prej nesh. Ushqehuni shëndetshëm, qëndroni fizikisht aktivë, shmangni duhanin dhe alkoolin, mbani nën kontroll peshën trupore, tensionin arterial, kolesterolin dhe nivelin e sheqerit në gjak. Kryeni kontrolle të rregullta mjekësore dhe mos i neglizhoni shenjat paralajmëruese që ju dërgon organizmi. Parandalimi mbetet arma më e fuqishme kundër sëmundjeve kardiovaskulare. Zemra është motori i jetës – mbajeni të fortë dhe të shëndetshme./Gazeta Shneta/


