Njohja e certifikatave të vaksinës kundër Covid në BE, flasin nga Komisioni Evropian për Gazetën Shneta

2022-01-24 në ora 15:24

Kosova dhe Bosnje Hercegovina janë dy vendet e vetme të cilat ende nuk e kanë marr njohjen e certifikatave të vaksinës kundër Covid-19 në Bashkimin Evropian.

Harta e Evropës në platformën dixhitale për njohjen e certifikatave të vaksinës kundër Covid-19, është pothuajse e tëra e gjelbër përveç Kosovës dhe Bosnjë Hercegovinës, shkruan Gazeta Shneta.

Vendi ynë ende nuk është anëtarësuar në platformën dixhitale për njohjen e certifikatave të vaksinave kundër Covid-19, e cila do të lehtësonte udhëitmin e qytetarëve kosovarë në vendet evropiane.

Gazeta Shneta ka kërkuar sqarime nga Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni Evropian. E para ka thënë se Kosova ka aplikuar, ndërsa nga KE kanë deklaruar se BE-ja i ka trajtuar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor si partnerë në mekanizmat në kuadër të pandemisë Covid-19.

“Që nga fillimi BE-ja ka treguar përkushtimin e saj për të trajtuar rajonin e Ballkanit Perëndimor si partner të privilegjuar duke i lidhur me mekanizmat dhe instrumentet e Bashkimit në kontekstin e pandemisë Covid-19”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të KE-së.

Nga KE kanë treguar se janë në proces për të shtuar listën e vendeve në platformën e certifikatës dixhitale.

“Ne presim që partnerët e Ballkanit Perëndimor të lidhen me sistemin tonë. Kemi zhvilluar takime me të gjithë dhe procesi është në vazhdim e sipër, shpresojmë se së shpejti të shohim më shumë vende”, kanë thënë nga KE.

Zyrtarët për media kanë kërkuar që për më shumë detaje të drejtohemi tek autoritetet kosovare.

Në anën tjetër nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se Kosova ka aplikuar për t’iu njohur certifikatat dixhitale dhe është në procesin e përshtatjes sipas kërkesave të BE-së.

“Kosova ka aplikuar për njohjen e certifikatës dixhitale në BE dhe po trajtohen aspektet e përshtatjes së certifikatës sipas kërkesave të EU për anëtarësim në EU Gateëay. Vendimin do ta marr KE”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Zyra për Media e MSH-së ka deklaruar se certifikatat e vaksinimit në Kosovë pranohen nga shtetet, mirëpo për shkak se nuk mund të bëhet verifikimi off-line përmes QR Code, nuk mund të verifikohet nga institucionet private si lokalet e ndryshme dhe restorantet.

Ndryshe nga Komisioni Evropian kanë treguar se Maqedonia Veriore është vendi i parë që i janë njohur certifikatat dixhitale, ndërsa Shqipërisë i janë pranuar më 15 shtator, Serbisë më 16 nëntor dhe Malit të Zi më 22 dhjetor. /Gazeta Shneta/