Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia ndër takimet e para që ka zhvilluar në zyrën e tij ka qenë pritja e kryesisë së Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë me të cilët ka biseduar për pritjet e tyre nga Qeveria e re.
Krerët e FSSHK-së ia kanë bërë me dije Vitisë se do ta presin për tre muaj dhe do ta përkrahin nëse ai punon për t’i plotësuar kërkesat e tyre, e që kryesorja është zbatimi i Ligjit të Pagave, shkruan Gazeta Shneta.
Madje FSSHK i ka dërguar edhe një letër publike Qeverisë Kurti ku i ka kërkuar që ta përfshijë Ligjin e Pagave në projektbuxhetin për këtë vit, pasi i njëjti nuk ishte paraparë nga ish-Qeveria Haradinaj. Kujtojmë se aktualisht Ligji është në pezullim nga Gjykata Kushtetuese e cila pritet të marr një vendim për të.
Ndërkohë Vitia ka dal nga zyra e tij sot dhe vizitën e parë zyrtare e ka bërë në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në QKUK. Kjo klinikë është vatra e grevës dy muajshe vitin e kaluar të cilën nuk mundi ta ndal as ish-ministri i PDK-së Uran Ismaili i cili kishte mbajtur disa takime disa orëshe por pa rezultat.
Kolegjiumi i Kirurgëve të QKUK-së kishin hyrë në grevë në dhjetor 2018 të ndarë nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë. Në kohën e grevës Ligji për Paga ende diskutohej para se të votohej në Kuvendin e Kosovës. Kirurgët kërkonin koeficient dhe pagë sikurse sektori gjyqësor dhe prokuroria.
Ndërkaq në Ligjin e Pagave i cili u miratua në Kuvend mjekët specialistë, ku hyjnë edhe kirugët, u vendosën me koeficient 5.0. Ndërkohë kirurgët e ndërprenë grevën më 15 shkurt por nuk ishin të kënaqur me këtë koeficient dhe kishin deklaruar se do të rikthehen në grevë për t’i përmbushur kërkesat e tyre. Mbetet të shihet nëse Vitia ua ka mbushur mendjen se do t’ua plotësojë kërkesat.
Ai është takuar sot me kirurgët në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale, të cilëve iu është zotuar se do ta mbajë premtimin e tij për koeficient 6.0 sikurse kishte deklaruar gjatë fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit. /Gazeta Shneta/


