Me ardhjen e verës rritet dhe dëshira jonë për të marrë pak rreze dielli e për t’i dhënë lëkurës atë ngjyrën e errët, e cila është tërheqëse për të gjithë.
Por a mund të bëjmë banjo dielli gjatë shtatzanisë?
Sipas ekspertëve, ju nuk duhet të bëni banjo dielli edhe në qoftë se nuk jeni shtatzënë. Dermatologja Sweta Rai nga “Shoqata e Dermatologëve të Britanisë” u shpreh se të rrish nën rrezet e diellit me orë të tëra nuk është e rekomandueshme, sidomos gjatë shtatzanisë.
“Për shkak të ndryshimeve hormonale që i ndodhin një gruaje gjatë shtatzanisë, nishanet në lëkurën e saj mund të ndryshojnë gjithashtu”, shpjegon Dr.Rai. Ekspozimi në diell i këtyre nishaneve mund të bëjë që ndryshimet që ata pësojnë gjatë shtatzanisë të jenë më të rëndë duke rritur kështu mundësinë për tu shndërruar në kancer lëkure.
Gjithashtu gjatë shtatzanisë sistemi juaj imunitar është pak më i dobët pasi i duhet të mbështesë edhe bebin. Kjo gjë e rrit më tepër rrëzikun e prekjes nga sëmundjet që shkaktohen nga ekspozimi i tepërt në diell.
Po bebi a rrezikohet nëse bëj banjo dielli në shtatzani?
“Deri tani nuk ka ndonjë studim që provon se bebi mund të dëmtohet ose jo gjatë banjove të diellit në shtatzani”, thotë Dr.Rai. Por edhe pse pa ndonjë provë shkencore, shumë ekspertë mendojnë se ekspozimi i nënës në diell nuk do të mund ta dëmtojë bebin për aq kohë sa nëna e mban nën kontroll temperaturën e trupit të saj, qëndron e hidratuar dhe nuk shtrihet me bark.
Disa këshilla:
- Përdorni krem mbrojtës me mbrojtje +30.
- Riaplikojeni kremin çdo 2 orë.
- Mos qëndroni në kontakt direkt me rrezet e diellit për një kohë të gjatë.
- Shmangni qëndrimin në diell nga ora 11 deri në orën 13. /pernenat