Antitrupat janë të rëndësishëm që vaksinimi të funksionojë, por shkencëtarët ende nuk e dinë se në çfarë niveli duhet të arrijnë. Varianti i ri delta paraqet një problem tjetër.
Pas një infeksioni me koronavirus ose një vaksinimi, trupi prodhon antitrupa kundër proteinës së virusit, të cilën SARS-CoV-2 e përdor për t’u ngjitur në qeliza dhe për t’i depërtuar ato.
Kjo proteinë gjembore lejon antitrupat të njohin virusin dhe të lidhen me të, duke e bërë atë të dukshëm për qelizat imune, shkruan DW përcjell Gazeta Shneta.
Shkencëtarët më parë supozuan se njerëzit e vaksinuar me vaksina ARNm të tilla si ajo e prodhuar nga BioNTech/Pfizer kishin më shumë se 90% mbrojtje kundër virusit-por kjo nuk vlen për variantin e ri delta. Ky variant është shumë më ngjitës sesa virusi origjinal dhe po përhapet në të gjithë botën.
Imunologu Carsten Watzl, nga instituti i Dortmundit, vlerëson se efektiviteti i vaksinave ARNm, të BioNTech/Pfizer zvogëlohet nga 90% në rastin e virusit origjinal në 88% me variantin delta dhe atë të vaksinës vektoriale AstraZeneca nga 66% në 60%.
Të dhënat nga Izraeli madje tregojnë se mbrojtja kundër infeksionit me variantin e rrezikshëm është vetëm rreth 64% kur përdoret vaksina BioNTech/Pfizer.
Por vaksina ende ofron 93% mbrojtje kundër një rasti të rëndë të COVID-19.
Pas dy dozave të vaksinës, shumica e njerëzve janë imunë ndaj varianteve të virusit të njohur deri më tani- por Dr. Carsten Watzl paralajmëron se kjo nuk vlen domosdoshmërisht për të gjithë ata që janë të vaksinuar dy herë.
“Vaksinimi vetëm nuk është garanci për të qenë imun,” thotë ai, duke shtuar se ajo që ka rëndësi është nëse trupi ka krijuar mbrojtje të mjaftueshme imune. “Por ne nuk mund ta masim atë për momentin”, thotë ai.
Jo vetëm antitrupat janë të rëndësishëm në luftën kundër një infeksioni. Pasi virusi të ketë hyrë në qelizë, antitrupat nuk mund ta arrijnë atë, sepse ata vetë nuk mund të hyjnë në qelizë. Kështu që virusi mund të përsëritet.
“Për ta luftuar atë, sistemi ynë imunitar ka qeliza T ndihmëse, që janë në gjendje të luftojnë qeliza të infektuara me virus – me fjalë të tjera, ne preferojmë të sakrifikojmë disa qeliza në trupin tonë, përkatësisht ato të infektuara, sesa t’i japim virusit mundësinë të shumohen”, thotë Dr. Watzl.
“Vetëm antitrupat nuk ju tregojnë domosdoshmërisht asgjë se sa mirë jeni të mbrojtur,” shtoi Dr. Watzl.
Ndër të tjera ai ka thënë se një person mund të ketë antitrupa dhe kështu mund të infektohet akoma me virusin. “Por përgjigja e qelizave T është aq e fortë sa që personi nuk sëmuret rëndë”, thotë ai.
Disa persona që janë vaksinuar dy herë nuk kanë pothuajse asnjë antitrup kundër virusit, kështu që ata ndoshta nuk janë të mbrojtur siç duhet, paralajmëron Dr. Watzl.
Nivelet e ulëta të antitrupave mund të jenë për shkak të moshës ose një sistemi imunitar të shtypur. Shpesh pacientët kanë nevojë për një vaksinë të tretë që trupi të formojë antitrupa.
Vëzhgimet shkojnë nga njerëzit që kanë shumë antitrupa dhe janë të mbrojtur mirë dhe njerëzit që kanë shumë pak antitrupa dhe janë të mbrojtur dobët tek njerëzit me pak antitrupa që janë ende të mbrojtur.
Përfundimi deri më tani është se askush nuk e di saktë nivelet e rritura mbrojtëse të antitrupave. Por Dr. Watzl është optimist, duke theksuar se jemi duke shkuar në rrugën e duhur përmes vaksinimit.
“Ne nuk e dimë ende se cilat janë nivelet e pragut dhe çfarë niveli duhet për t’u mbrojtur,” thotë ai. “Por ne do të arrijmë atje një ditë.” /Gazeta Shneta/