Specialistja e psikiatrisë në Zvicër Dr. Afrore Suka-Qorolli ka thënë se pandemia Covid-19 përveç se ndikoi fuqishëm në rrënimin e shëndetit mendor tek disa kategori, tanimë është vërejtur edhe një nga pasojat më të rënda: sjellja suicidare tek të rinjtë.
Afrore Suka-Qorolli ka mbaruar studimet e mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2006 ka udhëtuar në Zvicër ku jeton edhe sot me bashkëshortin e saj dhe të birin. Suka-Qorolli ka filluar punën si profesioniste në Zvicër që nga viti 2007. Atje ka përfunduar specializimin në psikiatri dhe psikoterapi. Ajo mban titullin në nivel federal dhe është pjesë e FMH (Foederatio Medicorum Helveticorum).
Në këtë intervistë në rubrikën Mjeku i Javës në Gazetën Shneta Dr. Afrore Suka-Qorolli do të flas për ndikimin e pandemisë Covid-19 në shëndetin mendor, si dhe faktorët tjerë që po ndikojnë në rritjen e numrit të vetëvrasjeve.
Shëndeti mendor është një nga çështjet që është diskutuar më së shumti pas pandemisë Covid-19. Shqetësimet janë ngritur për shkak të frikës, ankthit, izolimit, etj. A mendoni se ka ndikuar aq shume situata me pandeminë në shëndetin e përgjithshëm mendor tek njerëzit?
Suka-Qorolli: Gjatë vitit të parë të pandemisë Covid-19, prevalenca boterore e ankthit dhe depresionit është rritur masivisht për 25 % sipas një publikimi (WHO 02 mars 2022). Stresi i pa precedent lidhur me izolimin social si pasojë e pandemisë është njëri ndër faktorët kryesor që shpjegon këtë rritje të prevalences së sëmundjeve mendore. Vetmia, frika nga infeksioni, mërzia për humbjen e të afërmëve nga komplikimet e infeksionit, mërzi jo sipas normave standarde, në pamundësi të përcjelljes mortore në mënyrë të dinjitetshme, të gjitha këto ishin faktorë shtesë të stresit që ndikuan në rritjen e prevalences së sëmundjeve mendore.
Në cilësinë e mjekut psikiatër kam qenë dëshmitare e vuajtjes së personave të moshuar posaqërisht në rastet kur iu kanë vdekur bashkëshortët, nuk mund të merrnin pjesë as në ceremoninë e varrimit. Sipas disa studimeve del që të rinjtë dhe gjinia femërore ishin më shumë të prekur nga sëmundjet mendore gjatë kohës së pandemisë. Gjithashtu më shumë të prekur nga vuajtjet psiqike ishin edhe personat me sëmundje kronike.
Kjo rritje e prevalencës së sëmundjeve mendore vendosi në vështirësi të madhe sismin shëndetësor psikiatrik, dhe ishte e pamundur pothuaj të absorbohet një fluks i madh i pacientëve psikiatrik. Në pamundësi me marr shërbim psikiatrik duke qenë prezent fizikisht, shumë persona kërkuan ndihmë online duke vënë në pah kështu edhe një nevojë urgjente që të kemi në dispozicion mjete informatike dhe të sofistikuara të besueshme dhe efikase.
Edhe një kategori e personave të prekur nga Covid-Longue (apo Covid i zgjatur), e kam një paciente në përcjellje psikoterapeutike ku si mjeke jam dëshmitare e pasojave psikologjike në post/Covid. Mendoj që ende nuk kemi mbaruar me pasojat që i na i solli pandemia.
A ka rritje të numrit të vetëvrasjeve në vitet e fundit? Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë që çojnë drejt vetëvrasjes?
Suka-Qorolli: Sa i përket vetëvrasjeve, po lidhemi prapë me pasojat e pandemisë, sidomos tek të rinjtë është parë rritje e sjelljes suicidare dhe sjelljeve tjera auto-destruktore. Sipas sistemit indikativ OBSAN në Zvicër, dy deri në tre persona vdesin çdo ditë nga suicidi. Suicidi mbetet njëri ndër shkaktarët kryesor të vdekjeve premature, pas sëmundjeve kardiovaskulare.
Shkaktarët janë të natyrave të ndryshme. Planifkimi i suicidit është zakonisht proces afatgjatë, është zgjidhja e fundit me i dhan fund një vuajtje të madhe.
Po lidhem me pyetjen në vijim, shkaktarët apo faktorët e rrezikut janë të shumtë: individual si psh. depresioni, impulsiviteti, tentativat e mëparshme suicidare et. Faktorë rreziku janë edhe familja, si psh. konfliktet brenda familjes, viktimat e dhunës në familje, të neglizhuar nga prindërit, sëmundjet psiqike të prindërve etj. Faktorë rreziku poashtu janë edhe faktorët psikosocial si psh. vështirësitë ekonomike, izolimi social, ndarjet, humbjet, vështirësitë shkollore, profesionale, probleme të integrimit social, migracionit etj. Shpesh gjendet edhe faktori që përshpejton kalimin në akt përfundimtar, por analiza e rastit nuk bëhet vetëm duke pas parasyshë faktorin përshpejtues por të gjithë këta faktorë të lartpërmendur.
A mund të parandalohen vetëvrasjet dhe cilat janë rekomandimet e juaja? Çfarë duhet të bëjnë institucionet, mediat dhe shoqëria në përgjithësi?
Suka-Qorolli: Po vetëvrasjet mund të parandalohen. Jam pjesë e një grupi për parandalimin e suicidit në Zvicrën romande. Ne organizojmë formacione për publikun jo vetëm mjekësor, por për një publik heterogjen (polic, mësues, edukator etj.) ku përmes këtyre formacioneve mundohemi t’i pajisim këta profesionistë të lëmive të ndryshme me mjete terapeutike se si duhet parandalu suicidi. Mendoj se formacione të tilla duhet të organizohen edhe në nivel të shëndetësisë psikiatrike në Kosovë. Këshillohet që personeli mjekësor të flas hapur me personin mbi idetë suicidare sepse kjo i mundëson pacientit mos me u ndi i izoluar dhe në faj për gjendjen e tij, të kërkojë resurset që pacienti posedon akoma të cilat do t’i ndihmonin të dal nga kriza suicidare, me i transmetu shpresë dhe se alternativat tjera përveç suicidit mund të ekzistojnë. /Gazeta Shneta/