Këtë javë në rubrikën “Mjeku i Javës”, Gazeta Shneta ka intervistuar pediatrin, Hasan Gjikokaj, i cili tash e disa vite punon në QKMF-në e Deçanit në po këtë profesion.
Hasan Gjikokaj i lindur në Deçan, ka kryer shkollën fillore dhe të mesmen në Deçan, ndërsa ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë – Mjekësi e Përgjithshme – në FM Prishtinë në vitin 2000. Pasi ka filluar të punojë si mjek në QKMF Deçan që nga viti 2001, ai ka përfunduar specializimin në degën e pediatrisë në periudhën 2005-2010 në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë. Gjatë 13 viteve të fundit, ai ka punuar në shërbimin e Pediatrisë në QKMF – Deçan dhe nga viti 2017, ai ka ushtruar detyrën e koordinatorit të zhvillimit të vazhdueshëm profesional pranë kësaj qendre.
Kujdesi për ushqimin e fëmijëve është i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e tyre të shëndetshëm. Këshillat kryesore përfshijnë ushqimin e nënës pas lindjes (gjidhënja), hollimin gradual nëse është e nevojshme kalimi në ushqim artificial, ofrimin e ushqimit shtesë në moshën e duhur, përdorimin e piramidës së ushqimit si udhëzues, dhe konsultimin e mjekut për çështje specifike të ushqimit. Kujdesi i përshtatshëm për ushqimin ndihmon në sigurimin e një diete të balancuar dhe në zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.
Sa janë të rëndësishme vizitat e rregullta për foshnjat dhe fëmijët e vegjël? Sa herë në vit duhet të kryhen këto vizita?
Vizitat për foshnjet dhe fëmijët e vegjël janë të një rëndësie të veçantë pasi që tek fëmijët paraqiten në vazhdimësi ndryshime që ndodhin gjatë rritjes dhe zhvillimit të tyre, andaj keto ndryshime mund të percillen me vizita sistematike duke filluar që nga lindja;
Foshnjet duhet të kryejnë 2 vizita në muajin e parë të jetës (2 javë dhe 1 muaj), për të vlerësuar sa ka arritur adaptimi i fëmijës në ambientin e jashtëm, shtimin në peshë, dhe këshillat për trajtimin e kërpudhave.
Tek fëmijët parashkollorë dhe para-shkollorë me qëllim të realizimit të një mori masash preventive duke filluar me imunizimin, parandalimin ndaj Rahitit, Anemisë sideropenike, ekokardiogram e kërdhokllave për displazionin e kërdhokllave, ekokardiogram e abdomenit në moshën 3 muajsh për anomali të lindura të organeve abdominale dhe kujdesi oral, përveç kariesit. Stimulimi i ushqimit vetëm me gji, përcjellja e rritjes dhe zhvillimit, zbulimi i keqformimeve të lindura, vonesave mendore, çrregullimeve të pamurit, të degjimit dhe të folurit.
Tek fëmijët deri në moshën 1-3 vite, preferohen vizita sistematike 4 herë (15 muaj, 18 muaj, 2 vjet dhe 3 vjet të jetës). Viti i 6-të i jetës, në prag të fillimit të shkollimit, është koha për një vlerësim të përgjithshëm, duke përfshirë matjet e peshës, gjatësisë, dëgjimit, pamjes dhe ekzaminimin oral. Levizjet, ekuilibri, koordinimi, orientimi në kohë dhe hapësirë, aftësitë për vizatim, folurin dhe sjelljet në shtëpi.
Cilat janë ndryshimet më të rëndësishme në zhvillimin e fëmijëve nga lindja deri në adoleshencë dhe si i ndihmoni prindërit në kuptimin e tyre?
Rritja dhe zhvillimi i fëmijëve përfshin ndryshimet kuantitative të cilat ndodhin tek fëmija si rritja e dimensioneve trupore (pesha, gjatësia), ndërsa zhvillimi paraqet ndryshime kualitative tek fëmija, duke paraqitur pjekurinë dhe funksionin e organeve dhe sistemeve të tyre.
Në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve ndikojnë shumë faktorë: hormonet, gjinia, faktorët gjenetik, ushqimi jo i adekuat, sëmundjet, dhe kushtet sociale.
Ndryshimet Kuantitative:
- A) Shtimi në peshe – në lindje, javën e parë fëmijët humbin peshe, e cila kompensohet në fund të javës së dytë. Në tremujorin e parë, fëmijët shtojnë 175 g në javë ose 750 g në muaj, në tremujorin e dytë shtojnë 150 g ose 600 g në muaj, në tremujorin e tretë ng 115 g në javë ose 460 g në muaj, dhe në tremujorin e katër 70 g në javë ose 300 g në muaj.
- B) Fëmija gjatë vitit të parë rritet në gjatësi 25-30 cm, duke arritur në gjatësinë 75-80 cm.
- C) Perimetri i kokës – në lindje është 34-36 cm, në vitin e parë arrin në 45-47 cm, në vitin e dytë vetëm 2-3 cm, deri në vitin e 5. Pastaj, deri në moshën 12-vjeçare arrin 51-54 cm. Në moshën parashkollor, fëmijët rriten në gjatësi 12 cm në vitin e dytë dhe 5 cm çdo vit deri në moshën 6-vjeçare, pastaj 6 cm çdo vit deri në moshën e pubertetit. Pesha në vitin e dytë të jetës shtohet 2 kg.
Shtimi në peshë dhe rritja në gjatësi llogaritet:
- Me vlera mesatare të rritjes – kur është mbi 2 vlera standarte quhet rritje e shpejtuar, nese eshte mbi 3 standarte devijuese llogaritet si gigantizem, ndërsa nëse është nen 2 standarte devijuese llogaritet si ngecje në rritje (retardim somatik).
- Përqindjet percentile nga 3-96 percentile, e cila është metoda më e lehtë dhe shumë e aplikueshme.
Ndryshimet Kualitative: vlerësimi i ndryshimeve psikomotore:
1 muaj: Fëmija ndjek shikimin e objekteve të shëndritshme, ose reagon në zhurmë duke ngritur kokën për 3 sekonda.
- 3 muaj: E mban kokën, buzëqesh të gjithëve, njeh nënën.
- 5 muaj: Qëndron ulur me mbështetje, fillon kapjen e vullnetshme të objekteve.
- 8 muaj: Rri ulur pa mbështetje, fillon të zerojë fjale një rrokës, dallojnë njerëzit e huaj.
- 10 muaj: Rri në këmbë, ecën me mbajtje.
- 12 muaj: Ecën disa hapa, thotë disa fjalë, pije nga gota.
- 2 vjet: Ecën shkallëve, tenton të ushqehet me lugë, flet emrin e vet.
- 3 vjet: Tregon ku gjendet hunda, goja, dallon ditën nga nata, dallon gjininë, fillon të mblidhet, kontrollon sfinkteret.
- 5 vjet: Di të numëroj deri në 4.
- 6 vjet: Di të numëroj deri në 13, vizaton trekëndësh, dallon gjërat dhe mund t’i artikulojë fjalët pa gabime gramatikore.
Tek femijet e vegjel vlerësohet zhvillimi somatik, psiqik, neurologjik, të pamurit, degjimi, të folurit, gjendja e ushqyeshmërisë, gjendja e dhëmbëve, dhe raportet psikosociale në familje.
- 15 muaj: Kur fëmija fillon të ecën lirshëm, thotë disa fjalë.
- 18 muaj: Njeh veten, thërret në emër, ngjitet shkallëve.
- 2 vjet: Njeh fjalë me një kuptim, komunikon me të tjerët.
- 3 vjet: Përdor mirë fraza, përsërit numra, vishet pjesërisht vetë, fiton zotërimin për kontrollimin e sfinktereve.
Dentacioni (dalja e dhëmbëve) fillon në moshën 6 muajsh dhe përfundon me 24 muaj për dhëmbët e qumështit. Dhëmbët permanent fillon të dalin në moshën 6-vjeçare dhe përfundojnë në moshën 13-vjeçare.
Puberteti është periudha e fundit e zhvillimit somatik dhe transformimit të fëmijëve në të rritur të aftë për të riprodhuar. Në këtë fazë fillon edhe ndryshimi psikologjik dhe njihet si periudha e hershme e adoleshencës. Tek femrat, puberteti fillon në moshën 10 vjeçare ndërsa tek meshkujt në moshën 12 vjeçare. Në këtë periudhë, kujdesi për ushqimin kalorik është i rëndësishëm për shkak të rritjes së shpejtë në gjatësi.
Adoleshenca – periudha e rinis së hershme – periudha nga pjekuria e plotë seksuale deri te perfundimi i rritjes dhe zhvillimit që tek femrat paraqitet nga mosha 16-18 vjeçare ndërsa tek meshkujt nga 18-20 vite. Në këtë periudhë vjen deri te stabilizimi psiqik, fitohet siguria në vetveten dhe vetëdija për veprimet që bëhen. Në këtë fazë ndihma e prindërve është e pa zëvendësueshme në përkrahje dhe mbështetje emocionale. Rreziku për shfaqjen e varesive nga substancat e ndryshme si duhani dhe alkooli është shumë i madh.
Cilat janë sfidat më të mëdha në kujdesin për foshnjat e parandalimin e ndonjë sëmundjeje të mundshme?
Me qëllim që të kemi një shëndetë sa më të mirë tek fëmijët, duhet të ketë një komunikim të mirëfilltë prind-puntor shëndetësor, të realizohen me përpikëri të gjitha vizitat e planifikuara, e me këtë të arrihet një arsimim shëndetësor sa më i mirë i prindërve.
Prindërit duhet të kenë njohuri mbi shenjat e përgjithshme të rrezikut që domosdoshmërisht ta sjellin fëmiun e tyre tek mjeku – atëherë kur fëmija nuk pin, vjell çdo gjë, ka konvulsion, është i përulur. Kur fëmija ka frymëmarrje të shpejtuar dhe të vështirësuar, barkqitjet e shpeshta dhe me prani të gjakut, dhe temperatura e lartë.
Problemet më të shpeshta shëndetësore tek foshnjët mbeten Sindroma akute diareale, semundjet infektive, infeksionet akute dhe recidivë të traktit respirator, anemia sideropenike, rakiti, etj.
Tek fëmijët pas vitit të parë të jetës, problemet shëndetësore paraqiten në formë të qregullimeve të zhvillimeve psikomotore, të pamurit, degjimit, semundjeve kronike, dhe problemeve psikosociale prind-fëmijë. Parandalimi konsiston në: përmirësimin e kushteve elementare higjenike të jetës, sigurimin e ujit të pijshëm, ushqimin natyral, ushqimin plotësues adekuat, vaksinimin e rregullt sipas kalendarit të vaksinimit dhe arsimimin shëndetësor të prindërve.
Si t’i ndihmojmë fëmijët në menaxhimin e alergjive? Cka duhet të dijnë prindërit për këtë?
Reaksionet alergjike janë reaksione imunologjike që mund të shkaktojnë reaksione inflamatore dhe të dëmtojnë indet. Paraqitja e reaksioneve alergjike varet nga faktorët predispozues që mund të jenë gjenetikë si përgjegjësi e rritur e IgE në stimulime imunologjike. Diagnostifikimi i tyre fillon me anamnezën dhe nëse kemi predispozitë familjare, duhet të përcaktohet titri i IgE-së totale dhe si masë parandaluese, duhet që ata fëmijë të ushqehen se paku 6 muajt e parë vetëm me ushqim natyral, pas 6 muajve të fillohet me ushqim shtesë, por jo me ushqime potencialisht alergjike si: vezët, qumështi i lopës, peshku, limoni dhe portokalli, si dhe nena gjidhenëse nuk duhet të përdorë këto produkte gjatë gjidhjes.
Është me rëndësi se kur paraqiten, a paraqiten gjatë sezonave të caktuara, apo gjatë gjithë vitit, alergjitë pas kontaktit me shtazë, ose në shkollë ose vendin e punës, alergjitë në aktivitet, alergjitë në barna dhe a tërhiqen pas dhanjes së antihistaminikeve.
Preventivë duhet t’i shmangim nga kontakti me pluhurin e shtëpisë, duke bërë larjen e qarshëve në temperaturë 70°C, tharjen në diell, largimin e perdeve dhe lodrave nga dhoma. Perdorimi i kondicionerëve ul lagështinë dhe vepron si filtrues për polenin dhe pluhurin e shtëpisë. Në kohën e lulëzimit të bimëve duhet të mbyllen dritaret dhe të largohen rrobat nga trupi para futjes në shtëpi të fëmijëve.
Duhanët – është e vertetuar se fëmijët e nënave duhanpirëse kanë sasi të lartë të IgE-ve.
Barnat antialergjike veprojnë te rastet akute dhe kronike. Ndersa imunoterapia vepron si parandalim vetëm tek alergjenet aero që shkaktojnë rinitin alergjik, astmën, konjuktivitin alergjik ku është identifikuar shkaktari, dhe janë të ndërmjetësuara me IgE antitrupa.
Cilat janë rekomandimet tuaja për ekranin dhe kohën e shfrytëzuar nga fëmijët në pajisjet elektronike?
Fëmijët nën moshën 2 vjeç nuk preferohet të ekspozohen ndaj asnjë lloj ekrani. Koha para ekranit për fëmijët nga 2 deri në 5 vjeç nuk duhet të kalojë 1 orë. Efektet negative tek fëmijët janë të ndryshme: Në aspektin fizik, koha e tepërt para ekranit mund të çojë në probleme të shëndetit, si obeziteti, dhimbje koke, qafe, dhimbje kyçesh dhe tendosje të muskujve të syve.
Fëmijët nuk kanë kohë të angazhohen në aktivitet fizik, gjë që mund të çojë në shtim në peshë dhe një rrezik më të lartë të sëmundjeve kronike si diabeti dhe sëmundjet e zemrës. Në aspektin mendor, koha e tepërt para ekranit mund të ketë një ndikim negativ në shëndetin mendor të fëmijëve, duke shfaqur simptoma të shtuara të hiperaktivitetit, agresionit, dhunës, dëshirës për kënaqësi të menjëhershme, përqendrimit të dobët, varësia nga media, ankthi dhe depresioni. Stimulimi i vazhdueshëm nga ekranet mund të çojë gjithashtu në vështirësi në fokusim, hapësirë të dobët të vëmendjes dhe probleme të sjelljes.
Në aspektin social, koha e tepërt para ekranit mund të pengojë zhvillimin social të fëmijëve duke kufizuar mundësitë e tyre për të bashkëvepruar me të tjerët në situata të jetës reale, vështirësi në krijimin e marrëdhënieve me moshatarët. Koha e tepërt para ekranit gjithashtu redukton performancën shkollore të fëmijëve që shkojnë në shkollë. Përdorimi jo i shëndetshëm i medias mund të çojë në varësi.
Fëmija do të përdorë me detyrim median, do ta dëshirojë atë, ka humbur kontrollin mbi përdorimin e tij, bëhet i dhunshëm kur i kërkohet të ndalojë përdorimin e tij dhe vazhdon ta përdorë pavarësisht pasojave negative, si rënia e performancës akademike dhe humbja e miqësive. Si përfundim, është e rëndësishme të kufizoni kohën e fëmijëve para ekranit dhe t’i inkurajoni ata të përfshihen në aktivitete të tjera që nxisin zhvillimin fizik, mendor dhe social. Prindërit dhe kujdestarët mund të vendosin kufij për kohën para ekranit, të inkurajojnë lojën në natyrë dhe aktivitetin fizik dhe të promovojnë aktivitete që përfshijnë ndërveprim me të tjerët.
Cilat janë këshillat e juaja për t’u kujdesur në shëndetin e përgjithshëm tek fëmijët?
Se pari të realizojnë vizitat sistematike, pasi që aty fillon përkujdesja e mirëfilltë për fëmijën e tyre. Merren këshillat fillestare për mënyrën e rritjes dhe zhvillimit të fëmijës, mënyrën e ushqimit, vaksinimin për sëmundjet ngjitëse. Higjiena në muajin e parë të jetës dhe kujdesi për trajtimin e kordonit umbilikal. Shpjegohet për kalendarin e vaksinimit të rregullt dhe rëndësinë e tyre. Këshillat fillijnë që nga lindja mbi mënyrën e ushqimit. Rëndësia që fëmijët duhet të ushqehen vetëm me qumësht gjiri, kohën dhe sasinë e nevojshme deri në 6 muaj të jetës, pasi qumështi i gjirit mbrojnë fëmijët nga infeksionet, është steril, është më i lirë dhe bën lidhjen emocionale me nënën. Nëse për arsye të ndryshme duhet që femija të ushqehet me qumësht artificial, atëherë duhet të merren këshilla për mënyrën e përgatitjes. Hollimi në muajin e 1:1, pastaj deri në muajin e 6 2:1. Rekomandimet e fundit të OBSH përferojnë ushqimin e fëmijëve:
- Ushqimi natyral
- Ushqimi me qumësht pluhur industrial se paku deri në muajin e 4-6 të jetës
- Ushqimi me qumësht komercial
- Ushqimi me qumësht lopë
Sasia e nevojshme ditore që i nevojiten fëmiut për rritje dhe zhvillim. Dita e parë e jetës 10-20 ml kulloshter. Java e parë – 1×70 ml jepen 6-10 racione. Java e dytë – java 4 – 500 ml qumësht 70-100 ml në 6-8 racione. Muaji 2 – 600 ml në ditë – 100-130 ml – 6 racione. Muaji i tretë – 800 ml – 130-170 ml – 6 racione. Muaji i 4 – 1000 ml, 130-170 ml – 5-6 racione. Muaji i 5 – 1000 ml – 150-200 ml 4-5 racione. Muaji i 6 – 1000 ml – 200-220 ml 4-5 racione.
Këshillat për ushqimin shtesë duhet të fillojnë në moshën 6 muajshe për fëmijët që ushqehen me qumësht gjiri, ndërsa 4 muaj që ushqehen me qumësht artificial:
- Perimet: patate, supa me karrot nga muaji i peste.
- Spinaqi, kungulli, lulelakra nga muaji i 6-të.
- Donmatja pas muajit të 7-të.
- Bizelja pas muajit të 8-të.
- Drithërat: nga muaji i 4-të dritherat që nuk përmbajnë gluten (misri, orizi). Pas muajit të 6-të dritherat me gluten (gruri, thekra tershera).
- Mishi: nga muaji i 6-të si supë, pastaj pas muajit të 8-të i bluar.
- Vezët: në muajin e 7-të ¼-1/2 në dy herë në javë.
- Fëmijët parashkollor dhe shkollorë: qumështi 500 ml, mishi 1 racion, pemë 1 frut, drithëra buka 3 racione, yndyrna 2 lugë kafe.
- Piramida e ushqimit: baza nga drithërat, pastaj pemet, perimet, pastaj mish, qumështi. Maja e piramidës yndyrnat.
Këshilla jonë është që fëmijëve tu servohet ushqim i freskët dhe i shëndetshëm. Femijës ti caktohet mjeku dhe ti përcillet gjendja në Kartelën Fizike dhe atë Digjitale në mënyrë kronologjike të përcillet gjendja shëndetësore e tyre.
/GazetaShneta/