Një sfidë që nënat gjidhënëse mund ta përjetojnë me ardhjen e verës, është koha e gjidhënies.
Kur temperaturat ngriten, adaptimi i fëmijëve me qumështin e ngrohtë të gjirit mund të jetë paksa problematik, shkruan GazetaShneta.
Në këto temperatura, ashtu si të rriturit, edhe fëmijët kanë nevojë të freskohen me pije më të ftohta.
Por si t’ia bëjnë ato nëna që ende i ushqejnë fëmijët me qumësht gjiri?
Atëherë në këto raste, sipas mamisë Razije Musa, nënat duhet t’i freskojnë gjinjtë e tyre me ujë të ftohtë. Ky veprim nuk është se do e ftohë qumështin brenda gjirit, por do t’i freskojë gjinjtë të cilët do të jenë më të pranueshëm nga foshnja pastaj.
“Është me rëndësi që para gjidhënies në këto ditë të nxehta t’i freskoni gjinjtë, nuk është se qumështi juaj do të ftohet por ju do e freskoni lëkurën tuaj dhe kështu kontakti i fëmijës lëkurë me lëkurë nuk do të jetë i papërshtatshëm”, ka thënë Musa në profilin e saj.
Një këshillë tjetër që vlen të mbahet në mend për kohët e nxehta është edhe ushqimi jashtë në publik.
Sipas Musës, nënat gjidhënëse duhet të ndihen të lira, nëse ato duan, dhe ë ushqejnë të vegjëlit edhe nëse gjenden në ndonjë ambient të jashtëm; duhet ulur nën një hije ashtu që fëmijët të mos kenë të nxehtë.
“Ndjehuni të lira të ushqeni fëmijët tuaj me gji edhe në publik nëse ambienti është freskues dhe i përshtatshëm për ju”, thotë ajo.
Por çka duhet patur parasysh nga nënat është edhe niveli i ujit që ato konsumojnë. Pirja e ujit është gjithmonë një këshillë që vlen pa marë parasysh stinën, por duhet patur më shumë kujdes gjatë verës pasi që në këtë kohë, trupi absorbon më shumë djersë dhe niveli i lëngjeve gjithnjë është në ulje.
Andaj nënat duhet të konsumojnë sa më shumë ujë në mënyrë që të kenë sasi të mjaftueshme edhe për qumësht gjiri për foshnjen por edhe për t’u ndier rehat dhe të shëndetshme vetë. /GazetaShneta/