Mamia shqiptare Razije Musa ka dhënë disa këshilla në lidhje me lindjen natyrale dhe atë cezariane.
Ajo ka këshilluar nënat që të mos kenë frikë nga asnjëra lindje sepse jo të gjitha nënat e përjetojnë njëjtë atë, transmeton Gazeta Shneta.
Lexoni këshillën e plotë të saj:
MOS E KENI FRIKË LINDJEN.
Të dashura nana, uroj të jeni mirë, shumë herë më pyesni për procesin e lindjes duke treguar se keni frikë për ditën kur do t’i drejtoheni spitalit për të sjellë në jetë fëmijën tuaj.
Disa nana më thonë se kanë frikë lindjen natyrale me mendimet se nuk do të mund t’i përballojnë dhimbjet, se lindja do të jetë e gjatë dhe se ato nuk kanë besim në vete për t’a përballuar një situatë të tillë.
Një pjesë tjetër e nanave më thonë se kanë frikë lindjen me prerje cezariane sepse e kanë frikë anestezionin dhe kanë frikë se do të kenë pasoja pas lindjes. Të dyja llojet e frikës burim i kanë përvojat e nanave tjera.
Tani lexoni me kujdes. Asnjë lindje nuk është e njejtë, asnjë njeri nuk e përjeton njejtë një situatë. Sikur unë të bazohesha në përvojat e lindjeve tjera, duke marrë parasysh se jam Mami,ajo që u ka ndihmuar e qëndruar afër gjatë procesit të lindjes qindra nanave, paramendoni çfarë frike do të duhej të kisha në momentin kur shkoja për të sjellë në jetë fëmijët e mi.
Ju duhet të ndaleni dhe të mendoni, lindja është një proces i natyrshëm edhe i shëndetshëm, me një bebe lind edhe nana që e sjellë në jetë. Lindja natyrale ashtu si preferoni t’a quani, është diçka që e përballon trupi i gruas, në momentin që mjekët vlerësojnë se ju nuk mund t’a kryeni këtë proces vjen lindja me prerje cezariane e cila komplikimet i ka shumë të rralla, prandaj konsiderohet e sigurtë madje në shumë raste edhe jetë shpëtuese.
Ajo çka duhet të evitoni janë përvojat e grave të tjera, më besoni se shumica janë të prirura t’i ekzagjërojnë gjërat. Unë kam qenë në sallë me shumë gra që kanë lindur por kur i dëgjoja se si flisnin kisha mëdyshje se a ka qenë kjo lindja që unë e kreva.
Relaksohuni, bëni shëtitje, dëgjoni muzikë, flisni me beben tuaj, përgatitni ngadal e me shumë qejf rrobat dhe gjërat tjera për t’a pritur beben, meruni me veten më shumë se me të tjerët.
Në fund besojini mjekut që e zgjedhni dhe ndiqni udhëzimet profesionale.
Me dashuri, Razija.