Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook Twitter Instagram
Facebook Twitter YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Mjeku i Javës: Intervistë me kirurgun e fëmijëve Sejdi Statovci – Urgjencat tek fëmijët që kërkojnë intervenim kirurgjik

Mjeku i javës 22/02/2023
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Në rubrikën Mjeku i Javës në Gazetën Shneta kësaj radhe vjen një kirurg i fëmijëve, Prof. Asoc. Dr. Sejdi Statovci, i cili do të flas për urgjencat tek fëmijët, simptomat dhe trajtimin e tyre.

Statovci ka lindur në vitin 1970 në Prishtinë. Fakultetin e Mjekësisë e ka filluar në vitin 1989 në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë por pas mbylljes së Universitetit nga pushteti serb studimet i ka vazhduar në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë ku edhe ka diplomuar në vitin 1995.

Specializimin nga Kirurgjia e Fëmijëve e ka mbaruar në vitin 2004.

Titullin Magjistër i Shkencave Mjekësore e ka marrë në vitin 2009 në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Titullin Doktor shkence në sëmundjet kirurgjike e ka marrë në vitin 2016 në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.

Punon në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në SHSKUK si shef i repartit dhe është profesor i lëndës Anatomi e njeriut në Fakultetin e Stomatologjisë në UBT.

Si kirurg i fëmijëve ka eksperiencë në trajtimin e sëmundjeve urologjike të fëmijëve, kirurgjisë abdominale, neonatale, onkologjike, traumës së abdomenit dhe patologjive të tjera që trajtohen në Kosovë në kuadër të kirurgjisë pediatrike.

Më poshtë lexoni intervistën e plotë me kirurgun:

Cilat janë gjendjet urgjente më të shpeshta në Kirurgjinë e Fëmijëve ? Sa janë të rrezikshme ato për shëndetin dhe jetën e fëmijëve?

Kirurgjia e fëmijëve në Kosovë aktualisht përfshin në vete disa fusha të kirurgjisë siç janë: kirurgjia e përgjithshme dhe e barkut (kirurgjia abdominale), urologjia e fëmijëve, kirurgjia e fëmijëve të posalindur (kirurgjia neonatale), kirurgjia e tumoreve (kirurgjia onkologjike), traumatologjia e abdomenit (lëndimet traumatike të barkut).  Rrjedhimisht gjendjet urgjente në Kirurgjinë e Fëmijëve janë të shumta por unë do të përmend disa prej tyre, ato më të shpeshtat me të cilat ballafaqohet kirurgu i fëmijëve në punën e përditshme. Disa gjendje urgjente janë më të shpeshta në mosha më të vogla e disa të tjera në mosha më të rritura të fëmijëve.

Mosha neonatale (fëmija i posalindur) mund të ketë sëmundje të cilat kërkojnë intervenim kirurgjik urgjent pas lindjes për të korrigjuar defektin e lindur dhe për ti shpëtuar jetën pacientit.

Atrezioni i ezofagut – defekt i lindur te i cili ezofagu (kapërcalli) është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e sipërme është e mbyllur komplet ndërsa pjesa e poshtme e tij ështl e bashkuar me rrugët e frymëmarrjes si një fistulë mes trakesë dhe ezofagut. Fëmija nuk mund të gëlltisë asgjë (as pështymën e vet dhe as ushqimin). Përmbajtja e lukthit mund të derdhet në rrugët e frymëmarrjes duke i rrezikuar jetën fëmijës. Pa operacion fëmija nuk jeton prandaj intervenimi kirurgjik bëhet në ditët e para të jetës me hapje të toraksit (kafazit të krahërorit). Bëhet mbyllja e fistulës dhe bashkimi i dy pjesëve të ndara të ezofagut dhe kështu krijohet ezofagu siq duhet të jetë, në formën e një gypi që përcjell ushqimin në lukth.

Përveç ezofagut atrezionet (mbylljet komplete) mund të gjenden në çdo pjesë të sistemit tretës (zorra dymbëdhjetgishtore, zorra e hollë, zorra e trashë dhe anusi) dhe në të gjitha rastet kërkojnë intervenim kirurgjik urgjent për korrigjimin e defektit.

Hernia diafragmale – është defekt i lindur i diafragmës. Defekti ndodh në faza të hershme të shtatzanisë dhe përmes këtij defekti organet e abdomenit (barkut) si zorrët, lukthi, shpretka, mëçia, etj. kalojnë nga hapësira e barkut në hapësirën e kafazit të krahërorit dhe aty pengojnë zhvillimin normal të mushkërisë. Ndonëse nuk konsiderohet urgjencë kirurgjike e mirëfilltë edhe kjo është gjendje me rrezik për jetën e fëmijës dhe intervenimi kirurgjik bëhet në ditët e para pas lindjes sapo të stabilizohet gjendja e përgjithshme e fëmijës. Bëhet mbyllja e defektit të diafragmës dhe organet e barkut largohen nga krahërori dhe rivendosen në hapësirën e barkut.

Volvulusi ( përdredhja e zorrëve) – është urgjencë e vërtetë që kërkon intervenim kirurgjik të shpejtë sepse përdredhja e zorrëve ndalon qarkullimin e gjakut të tyre. Për pasojë zorra fillon të vuaj dhe nëse kalojnë mbi gjashtë orë nga përdredhja vitaliteti i zorrës mund të dëmtohet rëndë deri në nekrozë (vdekje) e asaj pjese të zorrës. Nëse segmenti i zorrës së dëmtuar është i gjatë kjo mund të shkaktojë probleme serioze në shëndetin e fëmijës ose të ketë pasoja fatale.

Gastroshiza dhe omfalocela – defekte të lindura të murit të barkut përmes të cilit zorrët dhe organet tjera të barkut dalin jashtë barkut. Praktikisht fëmija lind me zorrët jashtë barkut dhe kërkon intervenim kirurgjik urgjent.

Pas moshës neonatale kemi gjendje të tjera urgjente te fëmijtë:

Apendiciti akut – pezmatimi i “zorrës qorre” është urgjenca më e shpeshtë në punën e kirurgut të fëmijëve dhe praktikisht çdo ditë operohen fëmijë me apendicit akut. Manifestohet me dhimbje barku që fillojnë në pjesën e lukthit që më pas zhvendosen në pjesën e poshtme të djathtë të barkut, vjellje, temperaturë të ngritur, buzë të thara, ndjeshmëri e dhimbjes në shtypjen e barkut, etj. Leukocitet dhe CRP zakonisht rriten, ndërsa me ultratingull të barkut mund të shihet apendiksi i enjtur. Në disa raste mund të jetë e nevojshme të bëhet edhe CT e barkut për të vendosur diagnozën. Sapo të vendoset diagnoza ose dyshimi i bazuar për apendicit akut duhet të bëhet intervenimi kirurgjik, i hapur ose me laparoskop për heqjen e apendiksit. Ka shumë rëndësi që sëmundja të zbulohet në fazë të hershme, akoma pa perforuar (pa shpërthyer) sepse vet operacioni dhe ecuria pas operacionit mund të jetë më e vështirë në rastet e perforuara.

Invaginacioni i zorrëve – më shpesh ndodh gjatë vitit të parë të jetës. Këtu ndodh futja e zorrës brenda zorrës duke shkaktuar bllokim të kalueshmërisë së zorrës (ileus) dhe kërkon intervenim kirurgjik urgjent për të bërë dezinvaginimin dhe parandalimin e dëmtimit të zorrës. Nëse operacioni vonohet mund të ketë pasojë nekrozën e një segmenti të zorrës dhe rrezikimin e jetës së pacientit.

Ileusi – bllokim mekanik i kalueshmërisë së zorrëve për shkaqe të ndryshme. Është urgjencë kirurgjike për të larguar shkakun e bllokimit dhe për të shpëtuar vitalitetin e zorrës. Manifestohet me dhimbje barku të forta, vjellje biliare (vjell vrer me ngjyrë të verdhë), fryrje të barkut dhe mungesë të jashtëqitjes.

Hernia inguinale e inkarceruar – Hernia inguinale është sëmundje e shpeshtë te fëmijtë tek e cila për shkak të mos mbylljes së një kanali, zorrët (ose vezorja te vajzat) dalin nga barku dhe shkaktojnë një fryerje të dukshme nën lëkurë në pjesën e poshtme të barkut ose në skrotum (qesja lekurore ku gjenden testiset). Kjo fryrje theksohet më tepër gjatë sforcimit të fëmijës ndërsa zhduket sapo fëmija të qetësohet. Në raste të caktuara zorra e futur në kanal nuk kthehet në bark por bllokohet aty (inkarcerohet) dhe bën që fryerja të jetë e fortë dhe e dhimbshme. Nëse zorra nuk rikthehet në bark me shtypje të lehtë të dorës, atëherë kërkohet intervenim kirurgjik urgjent sepse në të kundërtën zorra mund të dëmtohet rëndë deri në nekrozën e asaj pjese të inkarceruar.

Torsioni i testisit (përdredhja e testisit) – gjendje urgjente e shkaktuar nga përdredhja e testisit që ndërpren qarkullimin e gjakut dhe shkakton ishemi (vuajtje nga mungesa e qakullimit të gjakut) të testisit deri në nekrozë apo vdekje të tij nëse kalojnë më shumë se gjashtë orë. Më shpesh ndodh te fëmijtë e posalindur dhe në moshën e pubertetit por mund të ndodh në çdo moshë. Karakterizohet me dhimbje të forta në testis që fillojnë papritur, skuqje të lëkurës përreth testisit dhe edemë (testisi i enjtur). Mos intervenimi në kohën e duhur ka për pasojë vdekjen e testisit dhe testisi i tillë duhet të hiqet. Në të njëjtin operacion rekomadohet edhe fiksimi i testisit të shëndoshë për të parandaluar përdredhjen e tij në të ardhmen.

Gjakderdhjet me vjellje ose me jashtëqitje. Ndonëse një pjesë të tyre e trajtojnë gastroenterologët ato shpesh herë kërkojnë intervenim kirurgjik urgjent për të ndalur gjakderdhjen. Vjelljet me gjak me ngjyrë të mbyllët sinjalizojnë për gjakderdhje në lukth. Kjo mund të shoqërohet edhe me jashtëqitje me ngjyrë të zezë (melena) që sinjalizon për gjakderdhje nga pjesët e sipërme të sistemit tretës, ndërsa jashtëqitja me ngjyrë më të kuqe sinjalizon për gjakderdhje nga pjesët e poshtme. Shkaqet më të shpeshta mund të jenë: ulkusi ( ithati ) gjakderdhës i lukthit, invaginacioni i zorrëve, volvulusi i zorrëve, gjakderdhje nga Divertikulumi i Meckel-it (një zgjatim i zorrës së hollë që e kanë rreth 2% e njerëzve).

Lëndimet ndryshme traumatike të barkut – Lëndimet mund të jenë të hapura ose të mbyllura. Lëndimet e hapura shkaktohen nga mjetet e forta qoftë të mprehta ose të topitura. Ato kanë plagë të dukshme që gjakderdhin dhe mund të ndodhin gjatë lojës, aksidenteve, kacafytjeve, plagosjes me armë të ftohta apo armë zjarri, goditjes me mjete të forta, etj. Lëndimet e mbyllura ndodhin si rezultat i veprimit të forcës së topitur e cila nuk shkakton plagë të dukshme nga jashtë por lëndohen organet e barkut dhe në shumicën e rasteve shoqërohen me gjakderdhje të brendshme. Ndodhin gjatë aktiviteteve sportive, aksidenteve, rënjes nga lartësia, goditjeve në bark, etj. Organet që më shpesh lëndohen janë shpretka, mëlçia, zorrët, veshka, fshikëza urinare, testiset, etj.

Lëndimet gjithmonë janë urgjencë dhe janë sfiduese për të gjithë mjekët e veçanërisht për çdo kirurg dhe anesteziolog. Ato kërkojnë vlerësim të shpejtë të gjendjes, diagnozë të shpejtë dhe poashtu marrje të shpejtë të vendimeve për intervenim sepse koha është e artë në rastet e traumës së barkut. Gjakderdhja aktive e patrajtuar shkakton humbje të gjakut dhe rrezikimin direkt të jetës së pacientit.

Parafimoza – gjendje kur lafsha e penisit (prepuciumi) është e ngushtë dhe është tërhequr prapa kokës së penisit. Ajo nuk mund të rikthehet në pozitën fillestare dhe sa më shumë të qëndrojë ashtu koka e penisit fryhet më shumë dhe shtrëngimi që i bën lafsha shkon duke u rritur. Për pasojë mund të kompromitohet qarkullimi i gjakut të penisit prandaj duhet kërkuar ndihmën e kirurgut të fëmijëve pa vonesë.

Retenca urinare – Për shkaqe të ndryshme fëmija nuk mund të urinojë dhe për pasojë fshikëza urinare mbushet tepër me urinë. Kjo shkakton dhimbje që shtohen në fundin e barkut, shqetësim të fëmijës dhe fryrje në formë topthi në fundin e barkut. Nevojitet vendosja urgjente e kateterit urinar dhe zbrazja e fshikëzës urinare. Nëse kateteri nuk depërton atëherë bëhet kateterizimi suprapubik dhe më pas hulumtimi i shkaqeve që kanë shkaktuar retencën e urinës.

Cilat janë shenjat më të shpeshta të këtyre sëmundjeve urgjente?

Disa nga shenjat si dhimbja e barkut, mundimi, vjellja, fryerja e barkut, temperatura e ngritur mund të jenë prezente në shumë nga gjendjet urgjente, si te apendiciti akut, ileusi, invaginaconi, volvulusi, etj.

Vjelljet me vrer (ngjyrë të verdhë në të gjelbërt) sidomos te fëmijtë e posalindur gjithmonë duhen konsideruar si shenjë e një sëmundjeje akute kirurgjike derisa të mos dëshmohet e kundërta.

Jashtëqitja me gjak mund të jetë shenjë e invaginacionit të zorrës, volvulusit apo pezmatimit të Divertikulumit të Meckel-it.

Shenja të tjera mund të jenë më karakteristike për gjendje të caktuara urgjente. Kështu p.sh. dhimbjet në testis që kanë filluar përnjëherë, me enjtje të testisit dhe skuqje të lëkurës janë karakteristike për përdredhjen e tij.

Shfaqja e menjëhershme e një mase të fryrë, të dhimbshme në fundin e barkut, që mund të shoqërohet me vjellje është karakteristike për një herni inguinale të inkarceruar.

Dhimbjet e barkut të shoqëruara me plogështi, zbehje, djersë të ftohta, rënja e tensionit, që shfaqen pas një lëndimi të barkut mund të sinjalizojnë për një lëndim të organeve të barkut me gjakderdhje të brendshme.

Si trajtohen ato?

Varësisht se për cilën gjendje bëhet fjalë trajtimi ndryshon. Por ajo që është e përbashkët për të gjitha është se janë gjendje urgjente që nuk guxon të neglizhohen dhe që kërkojnë trajtim urgjent. Më sfiduese pa dyshim janë lëndimet e abdomenit sepse ato nuk japin shumë kohë por kërkojnë qasje shumë serioze dhe profesionale të një ekipi më të gjerë profesionistësh mjekësor.

A dallon trajtimi kirurgji në Kosovë nga vendet tjera të rajonit? Sa ka avancuar kirurgjia e fëmijëve në vendin tonë?

Kirurgjia e Fëmijëve në vendin tonë ka përjetuar zhvillim të vazhdueshëm ndër vite dhe ngritje të kapaciteteve të saj si në numër të kirurgëve pediatrik poshtu edhe në zgjerimin e fushëveprimit të saj me procedura dhe operacione që në të kaluarën nuk janë bërë. Përveq teknikave të reja operative ne tashmë bëjmë procedura endourologjike diagnostike dhe terapeutike, kemi kabinetin e urodinamikës, bëjmë laparoskopinë dhe synojmë ta zhvillojmë endoskopinë digjestive. Gjithë këto janë të arritura të viteve të fundit. Bashkëpunimi kontinual me mjekë nga jashtë si dhe trajnimet e kirurgëve tanë në qendra mjekësore jashtë vendit kanë dhënë efektet e veta në këtë drejtim. Sot nga kirurgjia pediatrike me sukses trajtohen të gjitha gjendjet urgjente të cekura më lartë dhe të tjera që nuk janë cekur. Natyrisht që zhvillimi i mjekësisë në tërësi është i varur nga zhvillimi ekonomik i vendit dhe nga mundësitë investuese si në paisje moderne poashtu edhe në shkollime dhe trajnime të vazhdueshme në qendra mjekësore më të zhvilluara. Në këtë aspekt shtetet më të zhvilluara mund të ofrojnë mundësi më të avansuara në trajtimin e pacientëve por synimi jonë është që të arrijmë standarde sa më të larta dhe të krahasueshme me qendrat mjekësore të zhvilluara. Tashmë kemi një klinikë të re dhe moderne që na ofron mundësi shumë të mira për punë.

Cilat janë rekomandimet për prindërit? Si mund ta dijnë prindërit që gjendja është urgjente dhe duhet të kërkojnë ndihmë tek kirurgu i fëmijëve?

Edukata shëndetësore e popullatës tone fatkeqësisht nuk e nivelit të lartë. Shpesh here njerëzit jo kompetent marrin rolin e mjekut dhe sjellin vendime të dëmshme për shëndetin e fëmijëve, qoftë duke e vonuar fëmijën, duke dhënë barna të ndryshme joadekuate apo duke ndërmarrë veprime joprofesionale. Ka kaluar koha e mjekëve popullor dhe pseudomjekëve, prandaj për secilën ankesë të fëmijëve adresa e vetme është mjeku.

Nëse fëmija ka temperature të lartë, dhimbje barku, vjellje, barkqitje, vjellje me gjak ose jashtëqitje me gjak, ka pësuar një lëndim të barkut, ka ndryshime në organet gjenitale, ka fryerje të dhimbshme në vendin e hernisë apo shenja të tjera të cekura më lartë patjetër duhet të kërkohet ndihma e mjekut.

Kam dhe një këshillë apo kërkesë nga mjekët e rinj dhe mjekët familjar të cilët ndonjëherë nga dëshira për të mos e mbingarkuar Klinikën apo edhe për shkaqe burokratike për të mos lëshuar shumë udhëzime specialistike sepse kjo paqyrohet negativisht në performancën e tyre, mundohen të trajtojnë edhe rastet që realisht duhet të udhëzohen te specialisti. Ne kemi një përqindje të lartë të apendiciteve akute të perforuara që është pasojë e diagnostikimit dhe trajtimit të vonuar dhe kjo vonesë kryesisht fillon që nga neglizhenca e prindërve të fëmijëve e ndonjëherë edhe te mjekët që nuk arrijnë të identifikojnë me kohë shenjat e sëmundjes dhe ta udhëzojnë me kohë pacientin. Për të qenë realist, ndonjëherë edhe sëmundja nuk është tipike dhe radiologët dhe kirurgët mund të kenë vështirësi edhe vetë në diagnostikimin e tyre. /Gazeta Shneta/

Artikulli paraprakMjeku kujdestar në QKUK, u zu duke punuar te privati
Artikulli i rradhës Covid-19 ia merr jetën një pacienti dhe infekton 39 të tjerë në 24 orët e fundit

Ju sugjerojmë

Intervistë me Dr. Albana Xani: Diagnostikimi dhe trajtimi i Leukemisë akute limfoblastike tek fëmijët

21/03/2023 Mjeku i javës

Mjeku i Javës Dr. Xhevdet Latifi: Sëmundjet e veshit mund të rrezikojnë edhe jetën, këshilla si t’i parandaloni

14/02/2023 Mjeku i javës

Mjekja familjare që vizitoi mbi 50 pacientë çdo ditë javën e kaluar në QMF 5 në Prishtinë

27/12/2022 Mjeku i javës

Mjekët që e sfidojnë sëmundjen vrasëse: Intervistë me onkologun Faton Sermaxhaj

15/12/2022 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Valon Zejnullahu kirurg i përgjithshëm/endoskopist, tregon sfidat e kirurgjisë tek rastet e rënda me kancer

05/12/2022 Mjeku i javës

Mjekët e zemrës në QKUK kryejnë mijëra intervenime brenda vitit, Daut Gorani Mjeku i Javës me shifrat më të larta

22/11/2022 Mjeku i javës
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Email: [email protected]

Adresa: “Mbretëresha Teutë”, PN – Prishtinë

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 48 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook Twitter Instagram YouTube
© 2023 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.