Materniteti nuk është thjesht një ndërtesë ku lindin fëmijë. Materniteti është një vend ku çdo grua konsultohet për problemet e saj gjinekologjike, ku merr këshilla si të ndjekë një shtatzëni, ku i jepet asistencë shtatzënive të vështira,
ku lindin fëmijë të parakohshëm dhe qëndrojnë në një repart të veçantë, derisa të bëhen vogëlushë, gati për të shkuar në shpi, ku ka lindje natyrale e me operacion, ku kryhen aborte, sipas rregullave dhe ligjit, ku gruaja merr vazhdimisht informacione të rëndësishme për rritjen e fëmijës kryesisht ushqyerjen me gji, etj., pra, ku ka shumë gëzime e rrallë herë edhe trishtime.
Qindra njerëz, gra, fëmijë dhe familjarë i drejtohen çdo ditë materniteteve, çdokush për t’i dhënë zgjidhje problemeve të tyre personale. Si çdo gjë që ka lidhje me shëndetin, shtatzania dhe lindja shoqërohet me ankth dhe kjo është sfida e përditshme e gjinekologëve që u qëndrojnë pranë në çdo hap.
Çdo grua që vjen në maternitet, pavarësisht nevojës së saj, ka një kontakt të parë me një mjek gjinekolog. Por, nevoja e saj mund të jetë më e gjerë dhe të nevojitet ndihma e profesioneve të tjera. Në ato raste kur mjeku e gjykon të domosdoshme, e referon gruan për takime me psikologun, por mund të jetë dhe vetë gruaja që të kërkojë një ndjekje të saj nga psikologu. Kjo kërkon paraprakisht që gruaja të kuptojë se gjendja e saj emocionale nuk është e mirë dhe se ndihma profesionale do ishte mënyra më e mirë për të kapërcyer vështirësitë. Kjo duhet theksuar pasi çdokush, për të takuar një psikolog, duhet ta dëshirojë këtë; pra, nuk është e detyrueshme, vetëm në raste të rralla si psikoza të nënës.
Gjithashtu, mund të ketë kërkesa nga familjarë të shqetësuar që gruaja të kryejë takime me psikologun, por, dhe në këto raste, ajo duhet të jetë në dijeni dhe ta pranojë një gjë të tillë. Dikush mund të pyesë: Po familjarët nuk mund ta zëvendësojnë psikologun? Padyshim. Njerëzit e afërt janë një ndihmesë kyçe për këdo, në çfarëdo vështirësie. Por, nëse ata nuk e kuptojnë gruan, nëse janë dhe ata të ngarkuar emocionalisht dhe nuk përcjellin forcë, nëse kanë mungesë informacioni dhe për shumë arsye të tjera, e mira është të jenë mbështetës të takimeve me psikologun.
Arsyet pse një grua shtatzanë, apo edhe pas lindjes mund ti drejtohet psikologut, janë të shumta. Ato që secili prej nesh mund të sillte nëpërmend janë: Shtatzania nuk po shkon mirë; gruaja është një prind i vetëm ose ka një moshë shumë të re; gruaja po përjeton ndryshime psikologjike të zakonshme gjatë shtatzanisë, por ajo nuk kuptohet nga të tjerët dhe ndjehet fajtore, gruaja ka probleme serioze me partnerin e saj apo familjarët (të lidhura ose jo me shtatzaninë), gruaja ka lindur një fëmijë me probleme shëndetësore; gruaja ka kryer një fertilizim “in vitro” ku të mëparshmet kanë rezultuar të pasuksesshme; gruaja ka frikëra të llogjikshme ose jo rreth mbarëvatjes së shtatzanisë dhe aftësive të saj për të rritur një fëmijë; gruaja po përjeton një depresion mbas lindjes; gruaja i përket një grupi të caktuar të shoqerisë, siç janë për shembull, romët etj. Lista do të ishte shumë e gjatë, pasi rasti i çdo shtatzanie dhe mënyra si e përjeton çdo grua është unik.
Megjithatë ndërgjegjësimi i grave, partnerëve të tyre dhe shoqërisë shqiptare në përgjithësi për t’ju drejtuar psikologut është ende i vakët. Ndaj futja e shërbimit psikologjik kudo ka hasur rezistenca.
Psikologu ka obligimin ligjor të ruajë konfidencialitetin e çdo rasti dhe kjo duhet përsëritur shpesh, pasi, siç dihet, mentaliteti është një nga faktorët kryesor që po e pengon këtë profesion të gjejë vendin e duhur. Psikologu nuk është vendi ku njerëzit tregojnë sekretet e tyre; është thjesht vendi ku ndahen shqetësimet dhe punohet bashkërisht për ta bërë sa më pak vuajtës procesin.