Më shumë që një në katër gra në Mbretërinë e Bashkuar tani lindin përmes operacionit kirurgjikal ose prerjes cezariane, ku shumica dërrmuese e tyre bëhen me pëlqimin e vetë nënave. Sipas statistikave numri i përgjithshëm është trefishuar në 40 vitet e fundit.
Ndërsa është e vërtetë që rezultatet e lindjes për gratë dhe foshnjat janë përmirësuar gjatë kësaj periudhe, nuk ka dëshmi se ky rezultat pozitiv është shënuar mu për shkak të prerjes cezariane, transmeton GazetaShneta.
Ndërsa gratë duhet të jenë në gjendje të zgjedhin se në çfarë forme duan të lindin, kjo çështje nuk është se qartësohet edhe aq nga mjekët ose mamitë. Kjo mungesë transparence pastaj mund të dëmtojë aftësinë e këtyre nënave për të zgjedhur cilindo opsion që është e drejtë për to, qoftë një cezarian ose një lindje vaginale, përcjellë “The Conversation”.
Ngurrimi i doktorëve
Politikat dhe udhëzimet profesionale në Britaninë e Madhe thonë se mjekët duhet të përfshijnë gratë në këto vendime të lindjes. Organet profesionale të mjekëve pranojnë se është e sigurt për shumicën e grave që të kenë lindje vaginale pasi ato kanë pasur lindje cezariane më parë. Por cilësia e informacionit që këto gra marrin ndryshon, dhe ka dëshmi se disa mjekë hezitojnë që të mbështesin gratë që duan të lindin në mënyrë natyrale, dhe t’u besojnë natyrës që të bëjë pjesën e saj.
Megjithëse në shumë pjesë të Britanisë së Madhe janë krijuar të ashtuquajturat “rrugë të kujdesit”, të cilat synojnë të përmirësojnë qasjen dhe konsistencën e informacionit, gratë shtatzëna ende nuk marrin gjithmonë këshilla të plota dhe të paanshme. Kjo gjendje është përshkruar si një “mjegull” e mendimeve dhe këshillave, ku gjithçka bazohet në përvojën ose preferencën personale të mjekut se sa në provat shkencore ose thjeshtë në zgjedhjen personale të nënës./GazetaShneta/